Mbështetja e AZHBR-së/ Arturi nga Durrësi synon të ngrejë fermë urbane, njerëzit të marrin parcela dhe të kultivojnë produktet që duan

TIRANË, 10 korrik /ATSH/ Të apasionuar pas bujqësisë dhe me dëshirën për të konkurruar në treg, me prodhime sa më cilësore, fermerët po zgjerojnë kreativitetin e biznesit të tyre bujqësor.
Drejtoresha e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, Frida Krifca, sjell shembullin e Arturit fermerit nga Koxhasi i Durrësit.
“E takova pas një ftese dashamirëse për të vizituar fermën e tij, në Koxhas, të Durrësit. Të energjizon me idetë dhe vullnetin për të sjellë vlerë të shtuar në bujqësi”- shprehet Krifca.
Ka ndërtuar “Ferma” 6 vite më parë dhe kultivon kryesisht pemëtore, rrush, perime e eksperimenton me gjithçka në serë e në fushë të hapur.
Prodhimin e shet me porosi familjare për klientë në Tiranë e Durrës. E shpërndan vetë me makinë frigoriferike.
Ai përpunon qumështin e grumbulluar nga fermerët e zonës me metodën e vjetër të të parëve tanë, duke e mbështjellë me batanije, për të marrë një kos që pritet me thikë.
Por ai synon të sjellë prodhimet e freskëta bujqësore sa më afër njerëzve.
“Dëshiroj të ndërtoj një fermë urbane, ku njerëzit të marrin parcela në fermën time dhe të kultivojnë produktet që duan, kjo do t’i lidhë ata edhe më shumë me tokën”- shprehet Arturi.
Ndërsa drejtoresha Kfrica e njohu fermerin, me programet e mbështetjes në AZHBR dhe mënyrën se si mund të gjejnë mbështetje të tilla investime, që përherë janë të mirëpritura kur sjellin zhvillim për fshatin.
Krifca vë në dukje se hapësira rurale në vend ofron shumë thesare. /j.p/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.