Meta viziton Shtëpinë e Fëmijëve Shkollorë “Vangjel Pulla” në Sarandë dhe vlerëson ish-punonjës dhe ish-banorë të saj

TIRANË, 9 korrik /ATSH/ Presidenti i Republikës, Ilir Meta në vizitën që po zhvillon në qytetin e Sarandës është ndalur fillimisht në Shtëpinë e Fëmijëve Shkollorë “Vangjel Pulla”.

Me këtë rast Kreu i Shtetit i akordoi Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” (pas vdekjes) Vangjel Pulla “Me mirënjohje për kontributin e jashtëzakonshëm, organizimin dhe punën pasionante e të palodhur si drejtues i Shtëpisë së Fëmijëve, Sarandë. Me vlerësim për dedikimin e vazhdueshëm në edukimin dhe mirërritjen e fëmijëve pa kujdes prindëror, si dhe për kontributin e qenësishëm në vendosjen e marrëdhënieve dhe forcimin e lidhjeve të banorëve të Shtëpisë së Fëmijëve me shkollën, qytetin dhe familjet sarandjote”.

Ndërsa me titullin “Mjeshtër i Madh” u dekoruan: Sofi Mingo “Për kontributin e vyer si ndihmësmjeke dhe punonjëse e palodhur në ofrimin e kushteve optimale të higjienës dhe shërbimit mjekësor për fëmijët pa kujdes prindëror. Me mirënjohje për sakrificat e mëdha, në përmbushjen me ndërgjegje të të gjitha detyrave e përgjegjësive të ngarkuara, në përkujdesjen e vazhdueshme të mirëqenies dhe mbrojtjes së shëndetit të fëmijëve, duke u bërë një model dhe shembull i lartë frymëzimi, përkushtimi dhe sakrifice njerëzore”.

Si dhe Natasha Sami-Lako “Për kontributet e çmuara dhe arritjen e rezultateve të shkëlqyera si rekordmene e notit shqiptar, si brenda vendit, ashtu edhe në arenën ndërkombëtare, duke e çuar përpara këtë sport në nivele cilësore e duke na dhuruar dhjetëra rekorde kombëtare. Për shembullin frymëzues dhënë gjithë bashkëmoshatarëve dhe miqve të saj, të rritur së bashku në Shtëpinë e Fëmijës, Sarandë dhe për mesazhin inkurajues dhe optimizmin, se vetëm me vullnet dhe me pasion,  të gjitha pengesat janë të kapërcyeshme, pavarësisht vështirësive që të sjell jeta”.

Me titullin “Naim Frashëri” u vlerësua Anastasia Koloi “Për kontributin e çmuar dhe rezultatet e larta në fushën e pedagogjisë, si dhe për punën e palodhur e të vazhdueshme për edukimin dhe mirërritjen e fëmijëve pa kujdes prindëror të Shtëpisë së Fëmijës shkollore në qytetin e Sarandës. Me mirënjohje për dedikimin e saj, duke u bërë model dhe shembull i lartë frymëzimi, për të gjithë kolegët, si një nënë e vërtetë, e dashur dhe e dhembshur, për fëmijët pa kujdes prindëror.”

Si dhe Haxhire Xhama “Për kontributin e vyer si ndihmësmjeke dhe punonjëse e palodhur në ofrimin e kushteve optimale të higjienës dhe shërbimit mjekësor për fëmijët pa kujdes prindëror. Me mirënjohje për sakrificat e mëdha, në përmbushjen me ndërgjegje të të gjitha detyrave e përgjegjësive të ngarkuara, në përkujdesjen e vazhdueshme të mirëqenies dhe mbrojtjes së shëndetit të fëmijëve, duke u bërë një model dhe shembull i lartë frymëzimi, përkushtimi dhe sakrifice njerëzore”.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti Meta u shpreh se “është kënaqësi e veçantë për mua të jem sot, në këtë qytet të mrekullueshëm dhe pikërisht në një nga institucionet model dhe më të hershme të arsimit dhe edukimit, në Shtëpinë e Fëmijëve Shkollorë. Në këtë shtëpi, që hapi dyert 74 vite më parë, në radhë të parë për fëmijët e ardhur nga bijtë e bijat e dëshmorëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe të gjithë ata fëmijë të cilët lufta i la jetimë. Fëmijët gjetën në këtu ato gjëra që jeta ua kishte privuar pa mëshirë: kushte për t’u ushqyer, për të fjetur, për t’u veshur, për të mësuar e mbi të gjitha për t’u edukuar. Ata gjetën një familje të madhe, ku personeli i edukatorëve ju ofroi dorën e dashur e të ngrohtë”.

“Në këtë Shtëpi, fëmijët gjetën prindër të tjerë, vërtet pa lidhje gjaku me ta, por që në shpirtin e tyre kishin dashuri dhe dhembshuri gjer në dhimbje për këta vocërrakë. Janë me qindra fëmijët, që u rritën dhe u edukuan nga dhjetëra edukatorë e mësues në mjediset e kësaj shkolle. Shtëpia e Fëmijës ngelet, deri sot, familja më e madhe në qytet dhe çdo sarandjot krenohet me të dhe ndihet pjesëtar i kësaj familje”, tha Meta.

“Në themel të punës së Shtëpisë së Fëmijëve Shkollorë Sarandë është shkruar një histori e gjatë e përpjekjeve dhe sakrificave njerëzore, plot përkushtim dhe humanizëm nga shumë gjenerata drejtuesish, edukatorësh e punonjësish të përkushtuar, ndaj edukimit dhe mirërritjes së fëmijëve pa kujdesin prindëror. Në sajë të dedikimit, dashurisë e punës së palodhur të personelit të saj, u rritën dhe u edukuan fëmijë, që, sot, janë qytetarë model, profesionistë të zotë dhe familjarë të përkushtuar”, tha Meta.

“Sot, ne do të vlerësojmë vetëm disa nga edukatorët dhe ish-banorët e Shtëpisë së Fëmijës.  Por nga ky personel i përkushtuar ndër vite, dhe nga qindra fëmijë, që u rritën në këtë shtëpi dhe që, sot janë bërë prindër e kanë dhënë e japin një kontribut të madh në shoqëri, dëshiroj të përmend disa prej tyre: Sofie Kushi, Afro Kareco, Kristina Kumiu, Lumturi Xhani, Vera Diamanti, Nekim Xhaferi, Miranda Koçi, Leonora Koça, Ilir Çumani, Kozeta Katundi, Tatjana Sheshmini e shumë të tjerë. Dua të përmend dhe një njeri të veçantë Ilir Çumanin, me të cilin bashkëpunoi prej një kohe shumë të gjatë në të gjitha pozicionet që kam mbajtur dhe më përpara, për të mbështetur fëmijët të cilët kanë nevojë për kujdes prindëror”, theksoi Meta.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.