Vala kulturore koreane, “Hallyu”, ekspozohet në UNESCO

PARIS, 8 korrik /ATSH-AFP/ – Një shfaqje nga grupi K-pop, BTS, përshtatja 3D e filmit fitues të Palmës së Artë, “Parasite”, videolojëra futuristike: Koreja e Jugut ka ekspozuar ambasadorët e saj kulturorë me famë botërore në shtëpinë e UNESCO-s në Paris.

Titulli i ekspozitës, “Korea Cubically Imagined”, e prezanton publikun me “larminë e kulturës koreane duke shfaqur si kulturën tonë pop, ashtu edhe trashëgiminë tonë kulturore tradicionale”, tha drejtori i Qendrës Kulturore Koreane të Parisit, John Hae-oung.

I pajisur me syze 3D, vizitori zhytet në shfaqjen e grupit K-pop me famë botërore, BTS ose në mes të skenave të filmit “Parasite”, të regjisorit Bong Joon-ho.

Disa hapa larg, afresket e shekullit XVIII nga Muzeu Kombëtar i Koresë janë të animuara në 3D dhe projektohen në muret e një dhome, duke sjellë në jetë skena të famshme nga trashëgimia historike kombëtare.

Ministria e Kulturës, Sporteve dhe Turizmit e Koresë së Jugut, partnere e ekspozitës, dëshiron të nxjerrë në pah “Valën Koreane” (Hallyu) (e emëruar sipas kulturës pop), seri, grupe K-pop, kinema autori ose vepra arti, që prej disa vitesh ka qenë e gjithëpranishme globalisht.

“Të rinjtë vijnë (në këtë shfaqje) për BTS, por ata zbulojnë diçka tjetër”, vëren producenti Daniel Kapelian.

Sipas tij, “përdorimi i teknologjive për t’i dhënë një formë të re punëve paraekzistuese” i bën ato më tërheqëse.

Vizitorët gjithashtu mund të luajnë si avatarë në një videolojë eksperimentale, “The Scarecrow”, e zhvilluar nga një laborator në Universitetin Kombëtar të Arteve të Koresë (K’ARTS AT)./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.