“Fushata e vaksinimit masiv dha efektin e dëshiruar”/ Instituti i Vjenës: Shqipëria, rritje ekonomike 5 % këtë vit

TIRANË, 8 korrik /ATSH/ Instituti për Studime Ekonomike Ndërkombëtare i Vjenës përmirësoi pritshmëritë për rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto këtë vit dhe në dy vitet në vijim.

Në projeksionet e reja për 23 vendet e Europës Qendrore, Lindore dhe Jug Lindore, ku bën pjesë edhe Shqipëria instituti rishikoi me rritje projeksionet për ekonominë e 20 vendeve.

Ekonomia e Shqipërisë do të rritet me 5 % më 2021 nga 4.5 % që ishin parashikimet e prillit 2021.

“Fushata e vaksinimit masiv e filluar në mars ka pasur efektin e dëshiruar dhe numri i rasteve COVID-19 ka rënë dukshëm. Megjithatë, ekzistojnë rreziqe negative nga variante të reja të virusit dhe nga fluksi i turistëve. Partia Socialiste doli fituese nga zgjedhjet e prillit 2021 dhe do të qeverisë vendin për një mandat të tretë. Kjo nënkupton një stabilitet të caktuar dhe vazhdimin e disa projekteve të infrastrukturës që do të tërheqin investime. Kështu, ne kemi përmirësuar parashikimin tonë të rritjes për 2021 nga 4.5 % në 5 %, dhe për dy vitet e ardhshme në mbi 4 %”, argumentohet në deklaratën zyrtare të Institutit të Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.