KLP pezullon nga detyra prokurorët Edmond Karriqi dhe Maksim Sota

TIRANË, 5 korrik /ATSH – I. Vata/ Këshilli i Lartë i Prokurorie pezulloi nga detyra prokurorët Edmond Karriqi dhe Maksim Sota.

Në mbledhjen e sotme, KLP me 10 vota pro (në mungesë të anëtares Esmeralda Keshi), pezulloi nga detyra prokurorët Edmond Karriqi dhe Maksim Sota për shkak të masës së sigurisë personale “arrest me burg”, respektivisht “arrest në shtëpi”, vendosur nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Pezullimi zgjat deri në rënien e shkakut për të cilin është vendosur, sikundër kundër këtij vendimi mund të bëhet ankimim në Gjykatën Administrative të Apelit.

Për shkak të pezullimit nga detyra të prokurorit Edmond Karriqi, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, i caktuar përkohësisht si drejtues në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, Këshilli vendosi transferimin përkohësisht, me pëlqimin e tij, të Xhevahir Litës, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, i cili do të ushtrojë detyrën si prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës  së Shkallës së Parë Kukës, përkohësisht nga data 05.07.2021 – 04.01.2022.

Gjithashtu, me propozim të Komisionit të Zhvillimit të Karrierës, Këshilli vendosi me votë unanime, që prokurori Xhevahir Lita të caktohet përkohësisht të ushtrojë edhe funksionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, për një afat tremujor, nga data 05.07.2021 – 04.10.2021, pasi ai i plotëson kushtet e përcaktuara në ligj dhe në Rregulloren përkatëse të Këshillit. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.