AZHBR mbështet krijimin e kooperativave bujqësore/ Nga 130 shoqëri bujqësore 7 janë financuar nga IPARD-i

TIRANË, 4 korrik /ATSH/ Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, (AZHBR) në programet e saj mbështet fermerët që bëhen bashkë duke investuar në bujqësi.
Drejtoresha e AZHBR-së, Frida Krifca shprehet se, “falë këtij fokusi dhe mbështetjes nga AZHBR kemi ndihmuar përmes programit IPARD, në krijimin e 7 kooperativave bujqësore, që operojnë me sukses dhe gjenerojnë përfitime për rrjetet e fermerëve të bërë bashkë”.
“Në ditën botërore të kooperativave bujqësore, motivojmë të gjithë fermerët që të bëhen pjesë e shoqërive të bashkëpunimit bujqësor, për të forcuar akoma më shumë fuqinë e tyre në treg”- thekson Krifca.
Qeveria po nxit krijimin e kooperimit të shoqërive bujqësore (SHBB) si alternativa që siguron qëndrueshmëri, prodhim më të lartë dhe më shumë të ardhura për familjet fermere.
Miratimi i ligjit “për krijimin e Shoqërive të Bashkëpunimit Bujqësor” dhe një sërë lehtësish fiskale, kanë shtuar interesin e fermerëve për të bashkëpunuar dhe rritur prodhimin bujqësor me qëllim zgjerimin e eksporteve.

Në një studim mbi fizibilitetin e fermave të vogla në vendin tonë, Programi i Kombeve të Bashkuara për Bujqësinë (FAO), bën të ditur se “53% fermerëve të intervistuar në zonat me prodhim të lartë bujqësor, janë dakord për të bashkuar tokën në formën e një biznesi kooperativë, për ta mbjellë atë me një kulturë të përbashkët dhe për të nënshkruar kontrata kolektive me furnitorët”.

Sipas studimit, dakordësia për të bashkëpunuar ka qenë e lartë për kultivimin e domates dhe bostanoreve, pasi këto janë edhe dy produktet me të eksportuara në vendin tonë.

Bashkëpunimi mes fermerëve për të bashkuar tokat është një nga elementët thelbësore për të maksimizuar fitimet. Kooperimi ndikon gjithashtu në rritjen e shitjeve, uljen e kostove dhe thithjen e fondeve nga programet mbështetëse.

Në vitin 2015, kishte 37 kooperativa të regjistruara ndërsa sot numri i tyre arrin në rreth 130 shoqëri të bashkëpunimit bujqësor në të gjithë vendin.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.