Agjencia Telegrafike Shqiptare

Vendimi i Kushtetueses për Teatrin/ Reagime

TIRANË, 2 korrik /ATSH – I. Vata/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për çështjen e Teatrit Kombëtar.

“Gjykata Kushtetuese foli, radhën e ka SPAK!”, shprehet Basha.

Veliaj: Boll humbëm kohë me histeri, si me çdo projekt të madh

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj reagoi ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese duke ripostuar në Twitter titullin e një lajmi në media ku thuhet se “Gjykata Kushtetuese i jep të drejtë Bashkisë së Tiranës, lë në fuqi vendimin për prishjen e Teatrit Kombëtar”.

Vasili: SPAK të veprojë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese

Nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për çështjen e Teatrit Kombëtar.

“Gjykata Kushtetuese pranoi të dy kërkesat e Presidentit të Republikës të bëra në 24 korrik 2019 dhe 14 maj 2020. Gjykata Kushtetuese shfuqizoi ligjin special nr.37/2018 “Për ndërtimin e Teatrit të Ri, me Kulla, sipas projektit Fusha. Gjykata Kushtetuese, shfuqizoi vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 377, datë 8 maj 2020 që i kaloi në pronësi Bashkisë Tiranë Teatrin Kombëtar me qëllim prishjen e tij dhe ndërtimin e Teatrit të Ri. Bashkia Tiranë sot nuk është më pronare e truallit të Teatrit Kombëtar. Shembja e Teatrit Kombëtar, tashmë faktohet se ishte një krim i rëndë kushtetues dhe ligjor. Kryeministri sot u faktua se e prishi Teatrin Kombëtar në kundërshtim me Kushtetutën. Sot u faktua se Kryeministri dhe Kryetari i Bashkisë Tiranë shkelën Kushtetutën dhe Ligjin në bashkëpunim për të fshirë nga memorja kolektive identitetin tonë kulturor kombëtar”, tha ai.

Po ashtu, Vasili shtoi se “sot SPAK duhet të veprojë”.

“Kryetari i Bashkisë duhet të arrestohet në Rinas, sapo të kthehet nga vizita në Amerikë. Sot Kryeministri dhe ministri i Kulturës duhet të merren të pandehur. Ata prishën Teatrin në kundërshtim me Kushtetutën. Krimi tashmë është faktuar. SPAK dhe KLSH duhet të veprojnë. Asnjë veprim mbi truallin e Teatrit derisa të përfundojë çështja penale dhe të zbardhet vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Asnjë veprim nuk legjitimohet më. Bashkia Tiranë nuk mund të ndërtojë aty asgjë, pasi pronësia e saj u shpall antikushtetuese”, tha Vasili. /j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version