Certifikohen 5 operatorët e parë të aktiviteteve detare/ Klosi: Turizmi detar me potencial të lartë

TIRANË, 25 qershor /ATSH – I. Vata/ Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi ka marrë pjesë sot në një aktivitet në Sarandë ku certifikohen operatorët e parë të aktiviteteve detare.

Ai theksoi se “turizmi detar, një turizëm i një potenciali të lartë që duhet të zhvillohet si në gjithë vendet mesdhetare. Kemi krijuar lehtësirat më avantazhuese në rajon, për regjistrimin e mjeteve lundruese me flamurin shqiptar”.

Në fjalën e tij, Klosi tha se se brenda harkut kohor të 5 viteve do të kemi një biznes komplet të ri, biznesin e detit, i cili fatkeqësisht nuk ka qenë prezent në Shqipëri”.

“Investimet që po bëhen këtu në Sarandë, porti i ri i Vlorës, Himarës, porti shumë i madh i Durrësit dhe ai i Shëngjinit janë mundësi të arta që dhe në Shqipëri të fillojë një biznes i ri, biznesi detar”, tha Klosi.

“Është një politikë që pandemia e frenoi, por nuk arriti ta bllokojë dhe ja ku jemi sot në Sarandë ku biznesi shqiptar me iniciativën e tyre të fortë po bëjnë investime të rëndësishme. Sot jemi në një strukturë të re si operator i ri turistik të turizmit detar, i cili i ofrohet ofertës turistike të Sarandës, jo vetëm për të shëtitur në brigjet e Sarandës, por si një atraksion turistik duke organizuar aktivitete gjatë natës në det. Ndihem shumë mirë që bashkë me plotësimin e kuadrit ligjor, me dhënie e certifikatave të para të operatorëve turistikë detarë ne të kemi dhe inaugurimin e dy anijeve të reja në gjirin e Sarandës të cilat janë një atraksion shtesë për turizmin. Sot ne ndajmë 5 certifikatat e para të operatorit turistik të detit”, tha Klosi. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.