85-vjetori i lindjes së akademikut Rexhep Qosja/ Rama: Edhe 100 heroi i mendimit shqiptar

TIRANË, 25 qershor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama uroi sot në 85-vjetorin e lindjes akademikun e njohur Rexhep Qosja.

“Përulësisht i uroj edhe 100 një heroi të mendimit shqiptar, Profesor Rexhep Qoses”, thekson Rama teksa ka publikuar edhe dokumentarin “Rilindasi i kohës sonë” kushtuar jetës dhe veprës së akademikut Qosja.

Ky dokumentar është përgatitur nga gazetarja Rudina Xhunga, në 2014 në kuadër të 78-vjetorit të Rexhep Qoses.

Ai solli për publikun jetën e panjohur të akademikut Rexhep Qosja nga fëmijëria, vendlindja dhe deri në ditët e sotme, ku u renditën një mori kujtimesh dhe vlerësimesh të kolegëve nga Shqipëria e Kosova për krijimtarinë e tij të gjerë shkencore dhe letrare.

Në krijimtarinë e tij afro 50 vjeçare akademik Rexhep Qosja ka botuar një seri të gjatë studimesh kritike mbi letërsinë shqiptare. Ai ka shkruar libra për historinë e saj, për dukuritë letrare shqiptare dhe monografi për pothuaj gjithë autorët më të shquar të letërsisë shqipe.

Prof. Rexhep Qosja i ka bërë një shërbim të çmuar historisë së Kosovës dhe asaj mbarëkombëtare nëpërmjet serisë shumëvëllimëshe të shkrimeve dëshmuese, ku regjistrohen besnikërisht zhvillimet e tre dekadave të fundit të shek. XX. Në cilësinë e dëshmitarit e gjithashtu të protagonistit, ai evidenton me saktësi ngjarjet që shënuan historinë moderne të Kosovës, nga vendosja e lidhjeve gjurmëlënëse kulturore e shkencore mes Kosovës e Shqipërisë në vitet 1970-1980, tek demonstratat e studentëve të Prishtinës e të qyteteve të tjera të Kosovës në mars-prill 1981, tek intensifikimi i represionit serb  e për rrjedhojë tek fillimi i qëndresës së armatosur të rinisë shqiptare të organizuar në UÇK, dhe në fund tek ndërkombëtarizimi i problemit të Kosovës, që u materializua me organizimin e Konferencës së Rambujesë e me ndërhyrjen e NATO-s e çlirimin e saj.

Me intervistat e artikujt e tij kritikë në mediet e Kosovës e të Shqipërisë, Rexhep Qosja ka qenë një zë i veçantë, një denoncues kurajoz e i pamëshirshëm i abuzimeve dhe i shkeljeve të demokracisë. Në vitet 1990 manifestuesit shqiptarë e filluan betejën për një rend të ri duke u frymëzuar nga vepra e nga këshillat prej prof. Qosjes. Fjala e tij vazhdon të dëgjohet me interes e respekt për sa kohë promovon interesat e kombit shqiptar dhe ardhmërinë europiane të tij.

Rexhep Qosja ka lindur më 25 qershor 1936 në Vuthaj të Kelmendit, Malit të Zi. Shkollën fillore e përfundoi në fshatin e lindjes, tetëvjeçaren e mbaroi në Guci. Shkollën Normale e mbaroi në Prishtinë. Më 1964 u diplomua në degën Gjuhë-Letërsi të Universitetit të Prishtinës. Studimet pasuniversitare i kreu në Universitetin e Beogradit,  ku në vitin 1971 mori titullin “Doktor i Shkencave Filologjike” me temën “Asdreni-jeta dhe veprat”. Ishte punonjës shkencor në Institutin Albanologjik të Universitetit të Prishtinës dhe drejtor i këtij Instituti prej vitit 1972 deri më 1981.

/k.s/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.