Zgjedhjet në Kushtetuese/ Braçe: 2 vjet më parë pati dhunë barbare ndaj rendit kushtetues

TIRANË, 23 qershor /ATSH/ “Pa “30 qershorin”, nuk do ketë kurrë zgjedhje”, u shpreh sot zv.kryeministri Erion Braçe duke iu referuar zgjedhjeve lokale të 2 viteve më parë, të cilat u bojkotuan nga opozita dhe u zhdekretuan nga Presidenti Meta. Tashmë çështja ka shkuar në Gjykatën Kushtetuese.

“Në qershor, dy vite më parë pati dhunë barbare kundër rendit kushtetues, institucioneve, pronës publike, private. Dhunë barbare kundër qytetarëve, lirive dhe sigurisë së jetës e pronës së tyre. Dhunë barbare kundër shërbyesve të shtetit në detyre kushtetuese”, tha Braçe.

Por, shtoi ai, “në qershor, dy vite më parë pati edhe përpjekje të qartë politike, administrative dhe të dhunshme, për t’u eleminuar qytetarëve shqiptarë të drejtën kushtetuese për të zgjedhur e për t’u zgjedhur me votë njëherë duke vendosur për të bojkotuar zgjedhjet, herën tjetër duke zhdekretuar ditën e zgjedhjeve, praktikisht zgjedhjet. Në fund duke i vënë flakën qendrave të votimit, materialeve të votimit e duke rrahur zyrtarët e emëruar ligjërisht të zgjedhjeve”.

“Të gjitha në funksion të marrjes së pushtetit politik, ekzekutiv në rrugë antikushtetuese, të dhunshme e pa zgjedhje të popullit!”, tha Braçe.

“Është e qartë si drita e diellit! Mund ta kesh emrin si të duash, SalHi, Ilir, LulZi, Monika etj, por nuk e ke kërrkund të drejtën t’u heqësh njerëzve një të drejtë kushtetuese bazë: Të drejtën për të zgjedhur e për t’u zgjedhur me votë! Pa këtë të drejtë, demokracia është minuar!”, theksoi Braçe.

“Bojkoti i zgjedhjeve në fillim, zhdekretimi i zgjedhjeve më pas, zjarri mbi qendrat e votimit, materialet e votimit dhe dhuna mbi zyrtarët zgjedhorë, ishin instrumente antikushtetues e kriminalë”, tha ai.

“Bojkoti i zgjedhjeve si instrument u gjykua me votë dy muaj më parë dhe u ndëshkua; Zhdekretimi i zgjedhjeve u gjykua në Venecia dhe u cilësua në tejkalim të kompetencave. I vetmi gjyq që nuk është bërë ende është ai ndaj frymëzuesve, urdhëruesve dhe ekzekutuesve të dhunës dy vite më parë!”, u shpreh Braçe. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.