Studentët dhe të sapodiplomuarit, praktika mësimore pranë Bankës së Shqipërisë

TIRANË, 24 qershor /ATSH/ Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko zhvilloi një takim me pjesëmarrësit e programit LEAD Albania 2021, të organizuar nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) dhe Programi LEAD Albania.

Qëllimi i programit është që t’iu sigurojë pjesëmarrësve, të cilët janë profesionistë të rinj dhe të talentuar shqiptarë, përvoja të drejtpërdrejta në procesin e qeverisjes së Shqipërisë.

Gjatë këtij takimi, Guvernatori Sejko prezantoi misionin, objektivat, vizionin, vlerat, rolin dhe rëndësinë e institucionit të Bankës së Shqipërisë si bankë qendrore. Ai theksoi se vizioni i Bankës së Shqipërisë është qeverisja e mirë, përmes forcimit të pavarësisë, rritjes së llogaridhënies e transparencës, me qëllim rritjen e besimit të publikut tek institucioni.

Në vijim Guvernatori u shpreh se si një ndër institucionet më të rëndësishme në vend, Banka e Shqipërisë i ofron mundësi unike të zhvillimit profesional punonjësve të saj në fusha të ndryshme të aktivitetit të përditshëm, duke zhvilluar aftësitë e tyre teknike, përmirësuar cilësinë e punës, si dhe duke përsosur punën në grup. Institucioni u mundëson punonjësve orientimin drejt teknikave dhe metodologjive të bazuara në analiza rigoroze dhe diskutime profesionale, sipas praktikave më të mira të bankave qendrore europiane.

Për studentët dhe të sapodiplomuarit Banka mundëson kryerjen e praktikave mësimore, nëpërmjet programeve specifike të formimit, apo përfshirjes në projekte të veçanta të saj. Këto praktika mësimore synojnë përcjelljen e një modeli njerëzor e profesional në forcimin e karrierës.

Programi LEAD Albania (Leadership Experience and Development) zbatohet nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) që nga viti 2013. Qëllimi i Programit në Shqipëri është që t’u sigurojë profesionistëve të rinj dhe të talentuar shqiptarë përvoja të drejtpërdrejta në procesin e qeverisjes së Shqipërisë, shoqëruar nga një ndjesi e përfshirjes personale në lidershipin e shoqërisë nëpërmjet një përvojë njëvjeçare, që e vendos përfituesin në një pozicion shumë të lartë në institucione shtetërore. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.