Regjistrimi i pronarit përfitues/ Denaj: 30 qershori, afati për përmbushjen e detyrimit ligjor

TIRANË, 24 qershor /ATSH/ Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj apeloi sot se 30 qershori është afati për përmbushjen e detyrimit ligjor nga subjektet raportuese, për regjistrimin e pronarit përfitues.
Denaj bën të ditur se për këtë proces është e nevojshme që të ndërmerren disa hapa si
identifikimi sipas ligjit, mbledhja e dokumentacionit të nevojshëm, pajisja me nënshkrimin elektronik nga AKSHI, kryerja e aplikimit në e-Albania.

Ligji “Për pronarin përfitues” miratuar në fund të muajit korrik të vitit 2020 parashikon jo më vonë se data 31.1.2021, krijimin e regjistrit të pronarëve përfitues, ku do të regjistrohen të dhënat e pronarëve përfitues të subjekteve që kanë detyrimin e raportimit të tyre.

Në zbatim të këtij ligji, subjektet raportuese ekzistuese, duhet jo më vonë se data 31.12.2020, të identifikojnë pronarët përfitues të tyre, si dhe të krijojnë e të mbajnë dokumentet përkatëse lidhur me ta.

Ligji “Për regjistrin e pronarëve përfitues” po zbatohet për herë të parë në Shqipëri dhe do të mundësojë që të identifikohen pronarët e kompanive të ashtuquajtura offshore, që zotërojnë të paktën 25 % ose më tepër të aksioneve/kuotave të kapitalit ose të interesave të pronësisë në një subjekt raportues.

Ligji u hartua pas kërkesave të Moneyval (një mekanizëm i Komisionit Europian kundër pastrimit të parave), pasi kompanitë offshore, aksionarët e të cilëve nuk janë të identifikuar, krijonin mundësi për pastrimin e parave.

Ligj rregullon përkufizimin e pronarit përfitues, subjektet e detyruara, të cilat duhet të regjistrojnë pronarët përfitues, krijimin, funksionimin dhe administrimin e Regjistrit të Pronarëve Përfitues, procedurën dhe mënyrën e regjistrimit e të mbajtjes së të dhënave të regjistruara të pronarëve përfitues, si dhe masat ndëshkuese në rast të mosregjistrimit të pronarëve përfitues.

Ky ligj zbatohet për të gjitha personat juridikë të regjistruar në Republikën e Shqipërisë si më poshtë (shpk, sha, OJF, zyrat e huaja të përfaqësimit, shoqëritë kolektive dhe çdo subjekt tjetër juridik, i cili me ligj detyrohet të regjistrohet pranë QKB-së). /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.