Negociatat/ Balla: Shqipëria ka plotësuar detyrimet, BE institucion me vendimmarrje të vështirë

TIRANË, 24 qershor /ATSH – I. Vata/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot se BE duhet të ndryshojë këtë sistem vendimmarrjeje, se ndryshe nuk ka për të marrë kurrë vendim.

Në fjalën e tij në Kuvend ku u shqyrtuan raportet vjetore të disa institucioneve, Balla theksoi se detyrat dhe vlerësimet Kuvendi bën për ato që duhen adresuar më fort.

“PS është e vetmja forcë politike që kurrë ndonjëherë nuk ka pasur dhe nuk ka tentuar të emërojë njerëz të saj në krye të KLSH-së. Kjo ka qenë një qasje dhe duhet të jetë një qasje, sepse PS e konsideron këtë institucion tepër të rëndësishëm të auditimit të mënyrës së shpenzimeve të parave publike. Ky institucion duhet forcuar dhe çlirimi i këtij institucioni nga pengmarrja e një përfaqësuesi politik është gjëja më e mirë dhe doja në emër të kolegëve të PS-së ta nxis këtë institucion të jetë më aktiv që të rritet besimi i qytetarëve”, – tha ai.

Duke folur për Inspektoratit të Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, Balla tha se “është një institucion i rëndësishëm, pasi është i vetmi institucion që kontrollon politikanët. Pa futur këtu drejtësinë dhe shifrat e raportuara për vitin e kaluar, janë shifra shumë të mira, sepse janë 72 kallëzime penale për mosdeklarim apo deklarim të rremë, apo gjetje faktike në deklarimet personale që hyjnë në juridiksionin e ligjit. Kjo është diçka e mirë dhe nga 72 kallëzime mund të shkojnë në 172 në kuptimin e një transparencë të plotë. Ne kemi mbështetur institucionin me një kuadër ligjor të plotë, pasi janë 3500 persona që hyjnë në juridiksionin e ligjit dhe mendoj se ajo që na duhet është se kjo transparencë të vijojë dhe të rritet bashkëpunimi me SPAK që të gjitha rastet të ndiqen”.

Ai shtoi se pamundësia e Këshillit Europian për caktimin e datës së Konferencës Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE-së dhe Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, duhet të sjellë edhe ndryshimin e sistemit të vendimmarrjes nga ana e BE-së.

“Duhet të jemi shumë të qartë në këtë çështje, Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kushtet për t’u mbajtur i gjithë ky event formal i fillimit zyrtar të bisedimeve për anëtarësim, kur tashmë kemi të gjitha vendet anëtare që janë vlerësuese për atë që Shqipëria ka arritur, edhe atë të Asamblesë së Këshillit të Europës që vlerëson zgjedhjet e e 25 prillit, që janë zgjedhjet më të mira të mbajtura në Shqipëri, tregon që ne jemi në kushte e një procesi në ecje të përmbushjes së pritshmërisë së familjes europiane ndaj Shqipërisë. Por sikurse e kemi thënë, të mos harrojmë se BE është një institucion me një vendimmarrje të vështirë se kërkohet vendim unanim, sepse është e pamundur për çështje të karakterit të politikës së jashtme të gjendet konsensus unanim. Në këtë këndvështrim shpresojmë që Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut ta gjejnë një zgjidhje për këtë çështje, por kjo nuk ka të bëjë me Shqipërinë. Ne duhet të kuptojmë që procesi ecën, ne duhet të vazhdojmë të kemi vëmendje për të ecur përpara reformat e rëndësishme. Nuk është as në përgjegjësi të qeverisë shqiptare, as të Kuvendit, as Shqipërisë mungesa e një vendimmarrjeje. Këshilla jonë e vetme është që BE duhet të ndryshojë këtë sistem vendimmarrje se ndryshe nuk ka për të marrë kurrë vendim”, theksoi ai.

Balla shtoi se “Reforma në Drejtësi është reforma më e thellë që është ndërmarrë në Shqipëri. Reforma në Drejtësi i ka hequr të drejtë politikës për t’u marrë me emrat në drejtësi, pra dua ta quaj një depolitizim i drejtësisë dhe ky ka qenë themeli i Reformës në Drejtësi”.

“Sa i përket problemeve të brendshme të PD-së, që u adresuan këtu, kundërshtari nuk zgjidhet dhe ne nuk merremi kurrë me problemet e PD, ajo që po ndodh është pjesë e brendshme e tyre dhe nuk duhet të jetë pjesë e diskutimit në Kuvend”, tha ai.

Balla shtoi se deputetët e Kuvendit kanë një meritë të jashtëzakonshme për mbështetjen që i kanë dhënë çuarjes përpara të Reformës në Drejtësi. Kuvendi do të vazhdojë edhe pas datës 1 korrik. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.