Agjencia Telegrafike Shqiptare

“Nderi i Kombit” për 2 kirurgët e shquar prof. Petro Cani dhe prof. Petrit Gaçe

TIRANË, 24 qershor /ATSH/ Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi me anë të një ceremonie solemne dy mjekët e shquar kirurgë: krijuesin e shkollës së kirurgjisë shqiptare, prof. Petro Cani si dhe themeluesin e Shërbimit të Kardiokirurgjisë Shqiptare, prof. Petrit Gaçe me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”.

Kreu i shtetit dekoroi “babain e kirurgjisë shqiptare”, prof. Petro Cani (pas vdekjes), me motivacionin: “Me vlerësim për kontributin e shquar në fushën e mjekësisë, që nga vendosja e themeleve të kirurgjisë e deri në përgatitjen e kirurgëve të parë në Shqipëri. Me mirënjohje për humanizmin e jashtëzakonshëm dhe gjurmët e pashlyera, që ka lënë në historinë e mjekësisë sonë, si kirurg i talentuar dhe pedagog i shkëlqyer”.

Ndërsa prof. Petrit Gaçe u çmua (pas vdekjes) nga Presidenti Meta, me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi të lartë për kontributin e shquar në fushën e mjekësisë, si themeluesi i kardiokirurgjisë shqiptare e deri në formimin profesional të kirurgëve e kardiokirurgëve në Shqipëri. Me mirënjohje të thellë për humanizmin e jashtëzakonshëm dhe gjurmët e pashlyera që ka lënë në historinë e mjekësisë sonë, si kirurg i talentuar e novator dhe pedagog i jashtëzakonshëm”.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Meta tha se, “ky vlerësim vjen, jo vetëm për kontributin e jashtëzakonshëm dhe historik, që këta dy profesorë kanë dhënë për mjekësinë shqiptare, por edhe për humanizmin, patriotizmin, dedikimin dhe dashurinë e treguar ndaj pacientëve të tyre dhe ndaj vendit”.

“Jeta dhe karriera e të dy profesorëve të nderuar ka disa pika të rëndësishme të përbashkëta takimi. Ajo ka qenë e lidhur pazgjidhshmërisht me bisturinë dhe sallën e operacionit, duke i konsideruar respektivisht që të dy, prof. Petro Cani si ‘Babai i kirurgjisë shqiptare” dhe prof. Petrit Gaçe si ‘Themeluesi i kirurgjisë kardiovaskulare’”. /j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version