Investime të reja në sistemin e veprave ujitëse/ Nis zbatimi i projekteve në Nartë dhe Karavasta

TIRANË, 24 qershor /ATSH/ Investimet në sistemet e ujitjes dhe mbrojtjen e argjinaturave, janë në fokus të projekteve të reja që ka nisur të zbatojë Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Sipas MBZHR, me një vlerë totale investimi prej 434.2 milionë lekë, nisi puna për mbrojtjen e argjinaturës së Selevecit në Lagunën e Nartës, Novoselë dhe për projektin e rehabilitimit të hidrovorit të Karavastasë.

Projekti i parë në Lagunën e Nartës, me një fond 157,6 milionë lekë, synon riaftësimin e argjinaturës së Selevecit në të gjithë gjatësinë e saj, si dhe punime për mbrojtjen e skarpatës së brendshme nga dallgët.

Ndërsa projekti i dytë për rehabilitimin e hidrovorit të Karavastasë ka për qëllim të sigurojë kullimin e sigurt të mbi 10 000 ha tokë bujqësore dhe të kripur të zonave Divjakë, Lushnjë dhe Fier. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.