FOKUS – G20: Fuqizimi i grave thelbësor për arritjen e rimëkëmbjes ekonomike postpandemike

KATANIA, 24 qershor /ATSH-AA/ – Ministrat e Punës të ekonomive më të mëdha të botës të G20-s u mblodhën në Katania të Siçilisë të mërkurën në një takim të organizuar nga Italia, e cila ka presidencën e radhës të G20.

Në deklaratën përfundimtare pas takimit, ministrat diskutuan tendencat e fundit në tregun e punës në botë, vlerësuan punësimin e grave, mbrojtjen sociale përfshirëse dhe ndryshimin e formave të punës me dixhitalizimin dhe monitoruan angazhimet e “Qëllimit të Antalyas” që u ngritën në këtë kontekst.

Në deklaratë u theksua se pandemia COVID-19 vazhdon të ketë një ndikim të rëndësishëm tek komunitetet dhe ndaj ekonomisë globale duke shkaktuar rritjen e pabarazisë në të gjithë botën.

“Jemi të vetëdijshëm për faktin se të gjithë ne kemi nevojë për më shumë drejtësi shoqërore dhe qasje politike të orientuar drejt njeriut”, thuhet në deklaratë.

Gratë, të rinjtë dhe grupet e cenueshme me aftësi të ulëta janë prekur në mënyrë disproporcionale nga shpërthimi i pandemisë ndërsa vendet anëtare të G20 do të punojnë për këtë çështje, shton deklarata.

“Fuqizimi i plotë i grave është thelbësor për të arritur një rimëkëmbje ekonomike gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme në krizën e vazhdueshme”, thanë vendet anëtare. /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.