Fabrika e përpunimit të ujit, investim i ri me teknologjinë më të fundit të liderit botëror Krones

TIRANË, 24 qershor/ATSH/ Fabrika e përpunimit të ujit “Selita”, në Qafë-Mollë, Tiranë, vjen për konsumatorët me një investim të ri e cilësor.

Kryeministri Edi Rama vizitoi nga afër ambientet e kësaj fabrike, një nga investimet më të rëndësishme për ambalazhimin e ujit.

“Fabrika e përpunimit të ujit “Selita” sot vjen me një investim të ri e cilësor me teknologjinë më të fundit të liderit botëror, ‘Krones'”, – tha Rama.

Përfaqësuesi i firmës “Selita” tha se “‘Krones’ është një nga kompanitë më të mëdha në botë, me qendër në Mynih, Gjermani. Investimin kompania jonë e ka nisur me ‘Krones’ që në fillim që nga ndërtimi i fabrikës, deri tek pajisjet. Filtrimi është maksimumi i teknologjisë gjermane”.

“Gjithçka e kemi bërë në bashkëpunim me ‘Krones’. Një investim i rëndësishëm që kompania ka bërë është filtrimi i ujit. Në fabrikë prodhohen 18 mijë shishe në orë, me një mesatare ditore në 300 mijë në ditë, ndërsa shishe qelqi prodhohen 6 mijë në orë dhe rreth 100 mijë shishe në ditë”, – theksoi ai.

Sipas tij, investimi i ka kaluar 20 milionë dollarë.

“Një element i rëndësishëm është freskia e ujit, ky ujë është 6 gradë në burim dhe përqindja e oksigjenit që ka si dhe përqindja e kalciumit”, – tha përfaqësuesi i kompanisë “Selita”.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.