Dita-ditës zhvillohen sipërmarrjet vendase/ Ferma “Besa Agro Invest” në Fushë-Krujë synon rritjen e eksporteve

TIRANË, 24 qershor/ATSH/ “Besa Agro Invest” në Fushë-Krujë me 80 ha sipërfaqe në kultivimin e perimeve, zarzavateve dhe druve frutorë, synon të rrisë më tej eksportin e këtyre prodhimeve bujqësore dhe përpunimin.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot pamje nga kjo fermë, e cila është mbështetur nga fondet e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor e Rural.

“Kënaqësi të shohësh se si dita-ditës zhvillohen sipërmarrjet vendase, një ndër to edhe “Besa Agro Invest” në Fushë-Krujë, e cila edhe falë ndihmës sonë synon të rrisë eksportin dhe përpunimin e prodhimeve bujqësore”, – tha Rama.

Në këtë fermë janë 50 të punësuar dhe se në pikun e sezonit mund të punësohen deri në 70 punëtorë. Për prodhimin e produkteve bujqësore kjo fermë bën kujdes të madh në përdorimin e pesticideve, duke u siguruar të marrë vetëm ato të regjistruara në tregjet europiane.

Shqipëria i takon brezit mesdhetar, gjë që e bën që të ketë një larmi të madhe potencialesh për prodhim të kulturave nga më të ndryshmet, kultura me cikël të shpejtë, por dhe kultura që më tepër i takojnë klimës kontinentale./k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.