FOKUS – Blinken: Bashkëpunimi me Berlinin, Parisin dhe Romën mbetet thelbësor

BERLIN, 23 qershor /ATSH- DPA/ -Gjermania dhe SHBA besojnë në bashkëpunim dhe multilateralizëm, deklaroi sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, në një konferencë shtypi në Berlin me homologun e tij gjerman, Heiko Maas.

“Pas vizitës time në Berlin, unë do të vizitoj për këtë qëllim edhe Francën dhe Italinë. Gjermania, Franca dhe Italia janë vendet e vetme që janë pjesë e BE-së, NATO-s dhe G7-s”, shtoi ai, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimi me këto tre vende.

”Asnjë sfidë nuk mund të jetë e ballafaquar vetëm nga një vend, qofshin pandemi ose ndryshime klimatike. Domosdoshmërisht duhet të punojmë së bashku”, shtoi ai.

”SHBA dhe Gjermania formojnë një front të përbashkët kundër provokimeve të Rusisë në Ukrainë”, theksoi Blinken.

Të enjten, Maas dhe Blinken planifikojnë të nënshkruajnë një marrëveshje në Memorialin e Hebrenjve të Vrarë të Europës në përkujtim të Holokaustit.

Bisedimet e Blinken me Merkel dhe Maas ka të ngjarë të përqendrohen në një fillim të ri në marrëdhëniet SHBA-Gjermane pas pikës së ulët në epokën e ish-presidentit të SHBA, Donald Trump.

Pasardhësi i tij Joe Biden po bën gjithçka që mundet për të përmirësuar marrëdhëniet me aleatin më të fortë ekonomik të Europës.

Madje ai zbuti konfliktin mbi gazsjellësin ”Nord Stream 2” duke hequr dorë nga sanksionet kundër kompanive operative.

Sidoqoftë, mosmarrëveshja nuk ka mbaruar dhe ka të ngjarë të jetë një temë në bisedimet e Blinken në Berlin./ /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.