Kadastra nis regjistrimin fillestar të 1105 pasurive të paluajtshme në Lukovë të Sarandës

TIRANË, 22 qershor /ATSH/ Kadastra Shqiptare nis procesin e regjistrimit fillestar të pasurive të paluajtshme në Lukovë, të Sarandës.
“Pas përfundimit të punimeve fushore dhe administrimit të dokumentacionit shtetëror për aktet e pronësisë në Zonën Kadastrale 2518 fshati Lukovë, Bashkia Sarandë, është përgatitur regjistri kadastral për këtë zonë, Blloku 1 dhe 2, ku rezultojnë 1105 pasuri të paluajtshme”, njofton Kadastra Shqiptare (KSH).
Sipas KSH-së, lidhur me këtë proces, drejtoritë e drejtorisë vendore të ASHK-së Sarandë, prej datës 21.06.2021 fillojnë konsultimin publik të të dhënave të regjistrimit fillestar për ZK.2518 Lukovë-(Blloku 1dhe 2).
Konsultimi publik për këto pasuri do të kryhet për një periudhë kohore 45-ditore dhe do të përfundojë në datën 4 gusht.
KSH, bën të ditur se, gjatë kësaj periudhe, në zyrën e konsultimit publik mund të depozitohen dokumentacion pronësie si dhe çdo pretendim apo ankesë në lidhje me të dhënat e pronësisë të shpallur.
Harta kadastrale dhe të dhënat e pronësisë do të jenë të afishuara në zyrën e informacionit me adresë godina e njësisë administrative Lukovë, si dhe në faqen e internetit.
“Përjashtimisht, në rastet kur do të jetë e nevojshme depozitimi i dokumentacionit origjinal të akteve të pronësisë, ai do të dorëzohet sipas procedurës ligjore të pranimit të dokumentave pranë DVASHK Sarandë. Të gjithë titullmbajtësit janë të mirëpritur të ndjekin procesin e konsultimit publik për të përfunduar më sukses këtë proces dhe pajisjen me certifikatë pronësie”, thekson në njoftimin e saj KSH-ja. /j.p/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.