COVID-19/ Brataj apel qytetarëve: Tregoni kujdes, virusi ende mes nesh

TIRANË, 22 qershor/ATSH/ Drejtori i Urgjencës Kombëtare Mjekësore, Skënder Brataj tha sot se situata e COVID-19 në vendin tonë është më e mirë, ndërsa u bëri apel qytetarëve të tregojnë ende kujdes, pasi virusi është ende mes nesh.

Në një intervistë televizive Brataj tha se “masat janë duke u liruar dhe kjo është periudha më kritike, sepse do të ketë edhe turistë të huaj. Edhe aty duhet të shohim ecurinë epidemiologjike sesi do të vijojë. Numrat janë të ulët dhe njerëzit janë lodhur, nuk kërkojnë ndihmë për simptoma të lehta”.

Sipas tij, ka më shumë se 100 të infektuar, pavarësisht se regjistrohen tre apo katër.

Sa i përket vaksinimit, Brataj theksoi se “ajo që njerëzit duhet të kuptojnë është fakti që edhe pse ke bërë vaksinën, nuk do të thotë që je plotësisht i mbrojtur. Sigurisht që sëmundja vetëm dëmtime të sjell, ndaj duhet të mbrohemi. Kujdesi duhet të vazhdojë. Virusi është midis nesh, kujdesi është ai që duhet”.

I pyetur nëse ka rënë numri i thirrjeve drejt Urgjencës, Brataj tha se “janë rreth 1800-2000 thirrje”.

“Njerëzit kërkojnë ndihmë për gjithçka. Deri në këto momente që nga 9 marsi i vitit të shkuar janë gjithsej mbi 900 mijë telefonata. Njerëzit provuan që ka një shërbim që përgjigjet në 24 orë çdo ditë. 215 mijë këshillime në këto muaj s’janë prapë”, tha ai.

Brataj u shpreh se “ky shërbim do të jetë dhe numrat do të jenë të njëjtë. Sa i përket COVID-it janë shumë të ulëta telefonatat. Njerëzit janë të lodhur dhe kërkojnë që problemet e vogla t’i zgjidhin vetë”.

Duke folur për rëndësinë e vaksinave Brataj tha se “e rëndësishme është që çdo vaksinë ka një shkallë të lartë imuniteti. Kështu që vaksinimi, kalimi i sëmundjes dhe masat, besoj që janë armët më kryesore. Të keqen më të madhe e kemi kaluar”.

Ai shtoi se pranverën e vitit që vjen pandemia do të largohet.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.