Bardhi: Ndalohen dy trafikantë droge, përgjimet flasin për angazhim në blerje votash

TIRANË, 21 qershor /ATSH/ Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi denoncoi sot një rast ku, sipas tij, janë ndaluar dy trafikantë droge dhe përgjimet tregojnë se kanë qenë të angazhuar në blerje votash.

“Ndalohen dy trafikantë droge dhe përgjimet tregojnë se kanë qenë të angazhuar në blerje votash për regjimin Rama-Doshi. Arrestohet për trafik droge një punonjës i zjarrëfikëses në Tiranë dhe rezulton të jetë patronazhist i PS-së”, u shpreh Bardhi.

“Ky është kriminalizimi i politikës, kjo është masakra zgjedhore e 25 prillit, kështu u pengua ndryshimi që njerëzit donin, me trafikantë droge e paratë e pista të drogës”, shtoi Bardhi.

“Zhbërja e kësaj padrejtësie është dhe do të mbetet misioni ynë”, theksoi Sekretari i Përgjithshëm i PD.

“Ne nuk do të ndalemi në betejën tonë kundër kësaj pakice që përdor çdo mjet për të tjetërsuar vullnetin e lirë të shqiptarëve. Me shumicën e qytetarëve ne do të kthejmë legjitimitetin dhe demokracinë në vend”, tha ai. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.