SPAK hapa pozitiv në hetimin e krimit të organizuar/ Reforma në Drejtësi, ndryshim shtyllave kryesore të sistemit

TIRANË, 19 qershor /ATSH/ Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj u shpreh se, “referoma në drejtësi ka bërë ndryshime thelbësore në sistemin e drejtësisë dhe sot shohim që institucionet e këtij sistemi kanë marrë formë dhe operojnë të pavarur në zbatim të ligjit”.

Gjatë një interviste televizive Gjonaj theksoi se, “SPAK përtej pritshmërisë shumë të madhe që kanë njerëzit, ka treguar me hapa konkretë dhe besoj ka hedhur hapa pozitiv, në hetimin e çështjeve të cilat lidhen me korrupsionin apo me krimin e organizuar”.

“SPAK sot e ka të gjithë mundësinë e kuadrit ligjor edhe me disa ndryshime që janë miratuar në fund të majit ku i është lënë e gjithë mundësia që të fokusohet në çështjet e mëdha të korrupsionit të zyrtarëve të lartë ashtu si edhe të krimit të organizuar. Kemi parë një sërë çështjes të vjetra të cilat janë rihapur. Nga ana tjetër SPAK ka patur një mbështetje të jashtëzakonshme nga qeveria, qoftë për pjesën financiare, për pjesën e infrastrukturës. Pra, sot është brenda të gjithë mundësive të saj për të patur sukses. Por mos harrojmë se SPAK ka vetëm një vit që ka filluar funksionimin e tij, ndërkohë është ende në mënyrë të pjesshme funksioni i Byrosë Kombëtare të Hetimit, e cila do të duhet të përfundojë të gjithë procesin e rekrutimit të hetuesve që padyshim me plotësimin dhe funksionimin tërësor të Byrosë Kombëtare të hetimit, ky institucion do të jetë tërësisht funksion që ne të presim sukseset”- deklaroi ministrja.

“Në një vit që SPAK ka filluar të funksionojë arrin në 500 numri i çështjeve vetëm për vitin 2020, që do të thotë që ka një ngarkesë shumë të madhe. Por hapat konkretë që janë treguar edhe publikisht jo vetëm në rastet e korrupsionit por edhe në rastet e kërkesave për sekuestrim dhe konfiskim të pasurisë që vjen si rezultat i një veprimtarie të paligjshme, të gjitha këto tregojnë premisat se SPAK, do të jetë rezultativ në të gjithë funksionin e tij dhe unë kam besim që në periudhën në vijim ne do të shohim rezultate shumë të mira të SPAK-ut për sa i përket këtyre dy kompetencave kryesore që SPAK ka”- tha Gjonaj.

Ajo theksoi se, procesi i Vetingut, në momentin që komisionet shqyrtojnë dosjet dhe shikojnë që ka prova apo fakte që gjyqtari apo prokurori i cili është në këtë proces, ka kryer korrupsion apo ka vënë pasuri të paligjshme, atëherë do të duhet që t’i drejtohet kjo dosje SPAK-ut.

Gjonaj tha se, “kërkohet bashkëpunim mes institucioneve të SPAK dhe komisioneve të Vetingut, me qëllim që në të gjitha rastet kur ka fakte dhe prova për sa i përket gjyqtarëve dhe prokurorëve të merren masa si për hetimin e mëtejshëm dhe padyshim nëse është e nevojshme edhe sekuestrimin apo konfiskimin e pasurisë dhe ne kemi parë disa raste që SPAK i ka filluar duke përfshirë këtu ish prokurorin e përgjithshëm disa ish anëtarë të gjykatës kushtetuese, të gjykatës së lartë, për të cilët ka drejtuar kërkesa për sekuestrimin e pasurisë edhe gjykatës”.

Ajo tha se, në 5 vite të reformës në drejtësi, që nga ndryshimet kushtetuese e në vijim ka qenë një reformë e cila ka bërë ndryshimin e shtyllave kryesore të sistemit të drejtësisë.

“Nuk mund të mendonim kurë sesi që këto rezultate të vinin menjëherë, por sot përveç se institucionet janë ngritur ne shikojmë që institucionet kanë filluar funksionimin e tyre normal. Patjetër Gjykata Kushtetuese që të arrijë të ketë një zhvillim  të proceseve me një numër më të lartë, më të shpejtë, do të duhet të plotësojë të gjithë numrin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, por sot me kuorumin që ka, ka çuar me thuajse 200 çështje të cilat janë shqyrtuar, ku vetëm 25 çështje janë shqyrtuar në seancat e tyre publike. Nga ana tjetër kemi Gjykatën e Lartë, është e vërtetë që në mars të 2020 u emëruar 3 gjyqtarët e parë dhe disa muaj më parë 4 të tjerë, por kanë ecur mjaft mirë me çështjet”- deklaroj Gjonaj.

Sipas saj, me gjithë ndryshimet ligjore që ne kryem me paketën, në mënyrën si do kryhen disa çështje, do bëjmë të mundur që edhe me plotësimin e anëtarëve të tjerë, të jetë më eficiente me qëllim që qytetarët mos presin me vite të tëra në gjykatë të Lartë. E njëjta situatë me SPAK, ose me procesin e Vetingut.

“Ne sot shohim rezultate konkrete me procesin e Vetingut, ku është e vërtetë që janë shqyrtuar 400 dosje apo kanë kaluar këtë proces rreth 400 subjekte, por më shumë se 60% prej tyre janë shkarkuar apo janë larguar me dorëheqje, që do të thotë është një rezultat i jashtëzakonshëm, për të mos folur më pas për institucionet e tjera që sot duhet ta kuptojnë mjaft mirë që ndikimi politik, që nuk është më në sistem sjell një pavarësi ndryshe për sistemin. Tashmë duhet të punojmë bashkë në mënyrë të koordinuar, sidomos institucionet sepse tashmë është përgjegjësi e tyre tashmë, për të rritur eficiensën e sistemit”- tha Gjonaj.

Ndërsa veçoi se, sot një ndër sfidat kryesore është numri i lartë i vakancave në sistem. “Pra, numri i lartë i vakancave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, sidomos në nivel apeli, e cila ka sjellë një shqetësim, dhe një diskutim shumë të madh midis nesh. Dhe përtej faktit të rritjes së numrit të magjistratëve që ndjekin shkollën e magjistraturës, ne kemi arritur që të shtojmë disa njësi këshillimi, ku këta këshilltarë do të asistojnë gjyqtarët që të evadojnë më shpejt dosjet për të plotësuar deri dikur këtë vakum që është krijuar për shkak të mungesës së gjyqtarëve dhe prokurorëve. Por besoj fort që edhe riorganizimi i ri i drejtësisë i gjykatave dhe prokurorive do të sjellë një ndryshim për të plotësuar pak këtë pjesën e mungesës së gjyqtarëve dhe prokurorëve në sistem”- deklaroi ajo.

“Në axhendën Shqipëria 2030 na intereson që të konsolidojmë të gjitha rezultatet e reformës në drejtësi. Të kemi një drejtësi më eficiente ku qytetarët mos presin shumë kohë për të marrë vendimin, drejtësinë. Të kenë mundësinë për të marrë drejtësi të pavarur nga gjyqtarët dhe prokurorët, që të kemi mundësinë për të luftuar pandëshkueshmërinë. Dhë padyshim duke shtuar edhe disa elementë të tjerë që rrisin eficensën duke përfshirë dixhitalizimin e shërbimeve administrative gjyqësore, duke përfshirë krijimin e një sistemi për menaxhimin unik të cështjeve gjyqësore, por duke vendosur një theks edhe te infrastruktura gjyqësore që tashmë nevojitet sidomos për ato gjykata që do të jenë më të mëdha”- tha ministrja Gjonaj.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.