Rritet importi i mallrave të akcizës, 18.3 miliardë lekë të ardhurat në buxhet

TIRANË, 19 qershor/ATSH/ Shqipëria importoi gjatë pesëmujorit të parë të këtij viti më tepër mallra akcize, ku peshën më të lartë e mbajnë karburanti, cigarja dhe birra.

Sipas të dhënave të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, të ardhurat nga akciza llogariten 18.3 miliardë lekë nga 15.7 miliardë lekë që u mblodhën për të njëjtën periudhë të 2020-s.

Të ardhurat e mbledhura nga akciza në buxhet rezultojnë ndër më të lartat që prej 2013-s, kur u mblodhën 12.9 miliardë lekë.

Rritja e madhe e vëllimit të mallrave të deklaruar që i nënshtrohen akcizës është një tregues që korrupsioni dhe kontrabanda në pikat zonat doganore ka rënë ndjeshëm.

Në total, rritja me 2.5 miliardë lekë ka ardhur përgjithësisht nga rritja e importit të karburantit me 2 miliardë lekë, rritja e importit të cigareve me 584 milionë lekë dhe birrës me rreth 122 milionë lekë.

Për shkak të karantinës, vetëm në muajin maj të vitit 2020 llogaritet se humbja nga akciza në buxhet ishte prej 1 miliardë lekësh.

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.