Kopshti “Derede” në Krujë gati për të pritur vogëlushët në shtator

TIRANË, 19 qershor/ATSH/ Rindërtimi i kopshtit “Derede” në Krujë, pjesë e institucioneve arsimore të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit të shkuar, është drejt përfundimit.

Kryetari i Bashkisë së Krujës, Artur Bushi bëri të ditur sot se në shtator, vogëlushët do të gjejnë kopshtin e çerdhen, njësoj siç e mendojnë ata.

“Në kopshtin “Derede” vijon të punohet. Gjatë verës intensiteti i punëve do të rritet akoma edhe më shumë, pasi sezoni i ri do të na gjejë gati e me kushte shumë herë më të mira e më të bukura”, tha ai.

Programi i Rindërtimit të objekteve arsimore po mundëson ringritjen e qindra shkollave, kopshteve e çerdheve të shkatërruara në themel nga fatkeqësia e nëntorit të shkuar.

Programi parashikon rindërtimin e 160 shkollave të reja, jo vetëm nga buxheti i shtetit por edhe donatorë të ndryshëm, apo nga bashkia e Tiranës.

Në Krujë janë 18 objekte arsimore, nga të cilat 14 shkolla të reja, krejtësisht nga e para dhe 4 shkolla në rindërtim të pjesshëm.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.