Biznesi për fiskalizimin: Sjell lehtësi në transaksione dhe kursen kohë

TIRANË, 19 qershor/ATSH/ Bizneset pohojnë se Fiskalizimi u sjell atyre lehtësi në transaksione dhe u kursen kohë.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj u ndal sot në një nga bizneset që operon në shërbimet kontabël në qytetin e Durrësit, biznes ky që është përfshirë në reformën e Fiskalizimit më shpejt se sa afatet e përcaktuara ligjore.

Sipas përfaqësuesve të kompanisë A.S.C.A, që prej muajit mars kompania përdor zgjidhet softuerike çka ka sjellë lehtësi në transaksione dhe kursim kohe.

“A.S.C.A është një kompani që ofron shërbime kontabël, në qytetin e Durrësit. Është fiskalizuar që prej muajit mars dhe pse detyrimin e ka në 1 korrik. Kompania përdor zgjidhet softuerike, duke pasur lehtësi në transaksione dhe kursim kohe”, tha Denaj.

Deri në mesin e muajit qershor janë fiskalizuar 5103 tatimpagues.

Fatura me para në dorë të lëshuara në total janë 2.489.668, ndërsa fatura pa para në dorë të lëshuara në total janë 79.606.

Më 1 korrik 2021 do të nisë Fiskalizimi për transaksionet pa para në dorë ndërmjet tatimpaguesve, ndryshe B2B, ndërsa më datë 1 shtator 2021 do të nisë për transaksionet me para në dorë nga tatimpaguesit, ose siç njihet ndryshe B2C.

Referuar të dhënave të administratës tatimore, numri i tatimpaguesve të cilët pritet të hyjnë në procesin e Fiskalizimit më 1 korrik është rreth 34 mijë.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.