BERLIN – Merkel dhe Macron kërkojnë vigjilencë përballë COVID-19

BERLIN, 19 qershor /ATSH-AFP/ – Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron kërkuan sot kujdes gjatë ndeshjeve të Euro2020 përballë variantit shumë përhapës Delta, duke paralajmëruar kundër një rritjeje të pandemisë në kontinentin europian.

“Ne nuk mund të sillemi sikur epidemia e COVID-19 ka kaluar”, theksoi Angela Merkel në një konferencë shtypi para një darke pune në berlin me presidentin francez.

Bëhet fjalë për një prej takimeve të tyre të fundit para largimit nga pushteti në vjeshtë të kancelares pas 16 viteve në drejtim.

“Kur shikoj stadiumet e mbushura në pjesën tjetër të Europës, ndjehem pak skeptike”, theksoi ajo, duke iu referuar Hungarisë së drejtuar nga nacionalisti, Viktor Orban, i vetmi vend organizator i kompeticionit që nuk ka vendosur asnjë masë në stadium për këtë Euro2020.

I pyetur në lidhje me rreziqet e mundshme që lidhen me gjysmëfinalet dhe finalet që do të luhen në Wembley në Britaninë e Madhe ku varianti Delta ka shkaktuar një rritje të infeksioneve, Emmanuel Macron premtoi një “situatë vigjilence të madhe”

Kreu i shtetit francez është udhëheqësi i parë i huaj që është ftuar në kryeqytetin gjerman këtë vit, për shkak të krizës shëndetësore.

Objektivi i takimit është përgatitja e takimit të Këshillit Europian më 24-25 qershor kur pritet të diskutohet për zhvillimin e pandemisë, tensionet me Turqinë dhe Rusinë por gjithashtu dhe rimëkëmbjen ekonomike. / /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.