Balluku takim me Zaev: Jetësimi i korridorit të VIII, projekti më ambicioz mes vendeve tona

 

TIRANË, 19 qershor/ATSH/ Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku zhvilloi një takim me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, në fokus të të cilit ishte jetësimi i Korridorit të VIII, një ndër projektet më ambicioze mes dy vendeve.
Takimi u mbajt në Vjenë, në kuadër të zhvillimeve të Samitit të Liderëve të Ballkanit Perëndimor.

“Pata mundësinë për të diskutuar nga afër bashkëpunimin tonë rajonal me Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev. Jetësimi i korridorit të VIII është projekti më ambicioz mes vendeve tona dhe ne kemi një plan të qartë për zbatimin e tij”, tha ministrja.

Korridori tetë, është një nga dhjetë “korridoret trans-evropiane” të cilat janë konceptuar për të lehtësuar shkëmbimin e mallrave, njerëzve, naftës dhe furnizimeve me energji midis vendeve të BE-së, shteteve të Ballkanit që kanë dalje në Detin e Zi dhe Detin Kaspik dhe shteteve të Azisë Qendrore. Korridori tetë, lidh Detin Adriatik me Detin e Zi. Ky korridor nis nga portet italiane të Barit dhe Brindizit, bën një ndalesë në portin e Durrësit dhe më pas vazhdon drejt Tiranës, Shkupit dhe Sofjes, duke mbërritur deri në portet e Burgasit në Varna në Detin e Zi.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.