5103 tatimpagues përfshihen në procesin e Fiskalizimit/ DPT: Gati 2.5 milionë fatura elektronike

TIRANË, 19 qershor/ATSH/ Procesi i Fiskalizimit, një reformë që administrata tatimore e ka nisur prej 1 janarit të këtij viti pritet të ketë një efekt pozitiv në të gjithë ekonominë e vendit dhe veçanërisht tek bizneset, pasi shkëmbimi i automatizuar i faturës elektronike shkurton kohë dhe është më i sigurtë.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bëri të ditur për ATSH-në se deri në mesin e muajit qershor janë fiskalizuar 5103 tatimpagues.

Fatura me para në dorë të lëshuara në total janë 2.489.668, ndërsa fatura pa para në dorë të lëshuara në total janë 79.606.

Më 1 korrik 2021 do të nisë Fiskalizimi për transaksionet pa para në dorë ndërmjet tatimpaguesve, ndryshe B2B, ndërsa më datë 1 shtator 2021 do të nisë për transaksionet me para në dorë nga tatimpaguesit, ose siç njihet ndryshe B2C.

Referuar të dhënave të administratës tatimore, numri i tatimpaguesve të cilët pritet të hyjnë në procesin e Fiskalizimit më 1 korrik është rreth 34.000.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.