Vetingu/ KPA rrëzon KPK-në, shkarkon kryetarin e Gjykatës së Apelit Administrativ Tiranë, Kastriot Selita

TIRANË, 18 qershor /ATSH – I. Vata/ Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot seancën gjyqësore publike të çështjes që i përket ankimimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 161, datë 18.06.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Kastriot Selita.

Kryesuesja e seancës, një ditë më parë, u bëri me dije palëve përgjigjet e ardhura nga Ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, pasi Kolegji i Posaçëm i Apelimit u kishte kërkuar këtyre institucioneve, informacion nëse në Republikën e Shqipërisë, në zbatim të legjislacionit në fuqi ndër vite, janë tatuar dhe tatohen shumat monetare të përfituara nga individët nëpërmjet dhurimit.

Pasi palët konfirmuan njohjen me dokumentacionin e ri, kryesuesja e seancës citoi përgjigjet e institucioneve, ku mes të tjerash, referohej se shumat monetare të përfituara nga individët nëpërmjet dhurimit nuk tatohen, si dhe ftoi palët të shprehin qëndrimet e tyre në këtë kuadër.

Komisioneri Publik, gjatë shprehjes së qëndrimit të tij, në referencë të nenit 155 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe ligjit nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar, deklaroi se i qëndron rekomandimit të vëzhguesve ndërkombëtarë të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit dhe bisedimeve përfundimtare të mbajtura në këtë gjykim, ku është shprehur se shumat monetare të përfituara nga individët nëpërmjet dhurimit, tatohen.

Subjekti i rivlerësimit kundërshtoi qëndrimin e Komisionerit Publik, duke deklaruar se është një qëndrim refuzues ndaj ligjit, fakteve dhe provave të paraqitura në këtë gjykim. Subjekti i rivlerësimit, po në referencë në ligjit nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar, deklaroi se shumat monetare të përfituara nga individët nëpërmjet dhurimit, nuk tatohen.

Trupi gjykues, pasi dëgjoi qëndrimet e palëve, i konsultuar në vend, vendosi të lejojë marrjen si prova, të përgjigjeve të ardhura nga Ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

Në seancën e sotme, pas analizimit të provave dhe fakteve, Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka vendosur shkarkimin nga detyra të Kryetarin e Gjykatës së Apelit Administrativ Tiranë Kastriot Selita. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.