Sarandë/ Gati 200 subjekte të fiskalizuara, 143 në proces

TIRANË, 18 qershor/ATSH/ Procesi i Fiskalizimit i cili pritet të japë një ndikim të ndjeshëm në uljen e informalitetit, po shtrihet në të gjithë vendin.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj u ndal sot në Drejtorinë Rajonale Tatimore të Sarandës, ku diskutoi mbi ecurinë e procesit, si një reformë që po sjell modernizimin e mënyrës së faturimit.

“Kërkova angazhimin e plotë për informimin dhe mbështetjen ndaj biznesit, me qëllim zbatimin e duhur dhe shmangien e çdo problematike”, tha Denaj.

Në Sarandë deri tani janë 192 subjekte të fiskalizuara, ndërsa 143 subjekte janë në proces aplikimi.

Prej 1 janarit, faturat që lëshohen për entet publike/shtetërore duhet të jenë fatura elektronike, të cilat shkëmbehen nëpërmjet platformës qendrore të faturave.

Ky është hapi i parë i përshtatjes me një sistem novator, që lehtëson dhe përshpejton proceset e punës dhe komunikimin me Administratën Tatimore.

Më 1 korrik nis Fiskalizimi për transaksionet pa para në dorë ndërmjet tatimpaguesve. Më 1 shtator nis për transaksionet me para në dorë nga tatimpaguesit pavarësisht përgjegjësisë tatimore apo qarkullimit vjetor të realizuar.

Fiskalizimi i faturave ka efekt pozitiv në të gjithë ekonominë, por veçanërisht tek bizneset, pasi shkëmbimi i automatizuar i faturës elektronike shkurton kohë dhe është më i sigurt.

Për herë të parë Administrata Tatimore do të ketë në sistemet e veta të gjitha faturat që lëshohen drejt subjekteve, dhe të gjitha elementet e faturës.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.