Ritme të shpejta punimesh në stadiumin e ri të Kukësit, gati me kushte dinjitoze në shtator


TIRANË, 18 qershor/ATSH/ Punimet për ndërtimin e stadiumit “Zeqir Ymeri” të Kukësit, po vazhdojnë me ritme të shpejta për t’u përmbyllur në muajin shtator ku gjithçka do të jetë gati.

Stadiumi i ri i Kukësit do të plotësojë të gjitha kriteret që duhen për të pritur edhe ndeshje të kompeticioneve ndërkombëtare.

Kryeministri Edi Rama uroi sot mirëmëngjes me pamje nga ndërtimi i këtij stadiumi.

“Mirëmëngjes dhe me punën që po ecën me ritme të shpejta për stadiumin e ri të Kukësit, që në shtator të jetë gati me kushte dinjitoze për ekipin e qytetit, ju uroj një ditë të mbarë”, tha Rama.

Stadiumi “Zeqir Ymeri” në Kukës është një tjetër projekt i premtuar nga qeveria shqiptare, i cili po ndërtohet sipas parametrave të UEFA-s.

Impianti i ri sportiv në veri të vendit, i cili parashikohet të përfundojë në fund të gushtit, do të ketë 8 mijë vende, ndërsa pjesë e tij do të jenë dhe ambientet akomoduese.

Në këtë stadium do të zhvillohen ndeshje ndërkombëtare, ndërkohë që është sipas standardeve më të mira i pajisur me një sallë konferencash për 80 persona, dhomën e delegatëve të UEFA-s me të gjitha standardet, dhomat e veshjeve etj. /m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.