Lehtësitë e fiskalizimit/ Biznesi nis procesin më herët sesa afati i përcaktuar

TIRANË, 18 qershor /ATSH/ Faza e parë e Fiskalizimit për transaksionet pa para në dorë midis tatimpaguesve dhe enteve publike, e cila nisi më 1 janar, po ecën normalisht.
Ndërkohë që për transaksionet Biznes-Biznes zbatimi i Fiskalizimit nis prej 1 korrikut, shumë nga bizneset kanë nisur të procedojnë, më herët sesa afati i përcaktuar, duke e parë këtë reformë si modelin e duhur për kryerjen e transaksioneve më me lehtësi dhe transparencë.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj solli shembullin e një prej bizneseve që është përfshirë në këtë fazë të dytë të kësaj reforme.
“Keisli është avokate në qytetin e Durrësit. Edhe pse e ka detyrimin të nisë zbatimin e Fiskalizimit në 1 korrik ajo e ka nisur më herët sesa afati i përcaktuar”, tha Denaj.
Denaj bën të ditur se, prej 2 muajsh ajo pret fatura të fiskalizuara dhe përdor zgjedhjet softuerike.
Ajo bëri të ditur se Administrata Tatimore do të mbështesë biznesin për të bërë të mundur zbatimin e procesit.
Denaj njoftoi se për transaksionet biznes-biznes zbatimi i Fiskalizimit nis prej 1 korrikut dhe nga 1 shtatori për ato biznes-konsumator. /j.p/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.