Inaugurohet Parku Helen pranë liqenit të Farkës në Tiranë/ Kryebashkiaku i Athinës, Bakoyannis: Pikë takimi njerëzor


TIRANË, 18 qershor /ATSH/ Sot pranë liqenit të Farkës në Tiranë u përurua hapësira “Parku Helen”, ku të pranishëm ishin ambasadorja e Greqisë, Sophia Philippiddou, ambasadori i BE-së, Luigi Soreca, kryetari i bashkisë së Athinës, Kostas Bakoyannis, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe shumë përsonalitete të tjerë nga fusha e politikës, por edhe biznesmenë grekë të cilët ushtrojnë aktivitetin e tyre ekonomik në Shqipëri.

Në fjalën e hapjes ambasadorja greke në Shqipëri, Philippiddou, duke falënderuar të gjithë pjesmarrësit theksoi se kjo ditë e veçantë përkon me festa të rëndësishme edhe në Greqi.

“Ne festojmë 200-vjetorin e Revolucionit Grek, 50-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike Greqi-Shqipëri, por gjithashtu sot përkujtojmë edhe 40-vjetorin e anëtarësimit të Greqisë në Bashkimin Europian. Më vjen mirë që në kuadër të këtyre festimeve ne të inaugurojmë edhe këtë hapësirë, këtë park të mrekullueshëm”, theksoi Philippiddou.

Më pas, fjalën e mori kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj e cili e nisi me një legjendë që kishte të bënte me “floçkat” apo sirenat e shtojzovallet në shqip. Në këtë legjendë thelbi i mesazhit është se as njeriu dhe as liqeni apo natyra nuk mund të bëjnë dot pa njëra-tjetrën.

“E nisa pikërisht me këtë legjendë në të cilat Homeri i quante edhe si zonjat e liqenit, sepse këto legjenda i bashkojnë dy vendet tona. Doja të falënderoja kryetarin e bashkisë së Athinës, Bakoyannis. Dua të them se ky shesh i miqësisë së dy vendeve është një park rekreacioni që do t’i shërbejë sportit, artit dhe gjithçkaje tjetër. Ky vend është si një stoli për marrëdhëniet midis vendeve tona, sepse ju na keni qëndruar pranë edhe në ditë të vështira. Është gjithashtu një vend shumë i shëndetshëm i krijuar për qytetarët e Tiranës. Periudha e pandemisë ishte një moment i vështirë për ne, por gjithashtu ishte një moment edhe kur ky park nisi të ndërtohej, çka na mëson që të ringrihemi në momente të vështira. Ky shesh, apo siç quhej dhe quhet në greqisht “Agora”, është një qendër komunikimi, ekonomie, shoqërore dhe është zemra e qytetit. Agoratë janë edhe vendet ku mori jetë edhe parimi i demokracisë, thelbi i mendimit perëndimor dhe pikërisht në këtë ndjesi lirie u ngrit edhe ky park”, mbylli fjalën e tij Veliaj.

Më pas fjalën e mori edhe një ndër të ftuarit e veçantë kryetari i bashkisë së Athinës, Kostas Bakoyannis, i cili u shpreh i lumtur që ndodhej në sheshin Helen në Farkë, me Veliajn, që siç u shpreh ai “na rrëmben gjithmonë me dinamikën e tij”.

“200-vjetori i Revolucionit Grek nuk mund të festohej më mirë sesa duke e ndarë së bashku këtë festë. Gjërat që na bashkojnë janë më tepër se ato që na ndajnë, dhe ky park i mrekullueshëm dhe në këtë vend kaq të rrallë e tregon më së miri. Ky park do të shërbejë për argëtim, sport, kulturë dhe është një pikë takimi njerëzor. Ne jemi vetëm në fillim, pasi ky vend do të ketë përditshmërinë e tij tashmë. Falenderoj ambasadoren tonë me ekipin e saj, por edhe biznesmenët që e përqafuan këtë projekt, gjithashtu kryetarin Veliaj dhe ekipin e tij. Planet tona të përbashkëta janë që flamujt tanë një ditë të valëviten pranë njëri-tjetrit në Bashkimin Europian”, mbylli fjalimin e tij Bakoyannis.

Dy kryebashkiakët zbuluan edhe pllakën e inaugurimit të parkut. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.