Grantet për bujqësinë/ Fermerët e vegjël rrisin ekonomitë e tyre familjare


TIRANË, 18 qershor/ATSH/ Fermerët gjithnjë e më shumë po investojnë në përpunimin e produkteve blegtorale, ndërsa numri i krerëve ka njohur rritje të ndjeshme në vitet e fundit duke luajtur një rol thelbësor në të ardhurat e siguruara.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi u ndal sot në një sipërmarrje të përpunimit të qumështit në Hot të Malësisë së Madhe.

Kjo fermë për përpunimin e qumështit drejtohet nga tre djem të apasionuar.

““Djathë Veleçiku” sipërmarrje familjare e përpunimit të qumështit është një shembull pozitiv, që jo vetëm ka ndihmuar fermerët e vegjël të fshatrave të zonës të rrisin ekonomitë e tyre familjare, por ka krijuar edhe produkte të veçanta. Djathrat ndërthurin traditën e përpunimit me shije të rafinuara nga erëza të veçanta. Ky biznes po rritet çdo ditë, me synimin të arrijë në tavolinat e konsumatorëve me markën “Made in Albania””, tha ministrja.

Një ndër përfaqësuesit e kësaj sipërmarrje vlerëson mbështetjen përmes granteve.
“Pa ndihmën e agjencive shtetërore dhe donatorëve nuk do të kishim arritur të ndërtonim as gjysmën e sipërmarrjes”, shprehet ai.

Grantet e përfituara nga shteti (AIDA dhe AZHBR) edhe nga donatorët, i kanë dhënë mundësi sipërmarrjes, që produktet “Veleçiku” të jenë tashmë të preferuara jo vetëm në familjet shqiptare, por edhe në lokale të njohura dhe mjaft të preferuara nga turistë vendas e të huaj.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.