Gjermania heq kufizimet e udhëtimeve hyrëse nga Shqipëria që nga 20 qershori

TIRANË, 18 qershor /ATSH/ Gjermania heq kufizimet e udhëtimeve hyrëse nga Shqipëria.

“Qeveria Federale ka hequr të gjitha kufizimet e udhëtimeve hyrëse për personat rezidentë në Shqipëri me efekt që nga dita e diel, 20 qershor, ora 0:00 CET”, njoftoi sot ambasada e Gjermanisë në Tiranë.

“Që nga kjo datë, udhëtimi për në Gjermani i personave rezidentë në Shqipëri, lejohet përsëri për të gjitha qëllimet e udhëtimit”, bën të ditur ambasada gjermane.

Gjithashtu ambasada thekson se “për udhëtimet hyrëse me rrugë ajrore, është e domosdoshme një dëshmi e testit ose një dokument që provon shërimin apo vaksinimin me vaksinat Pfizer-Biontech, Moderna, Astra Zeneca dhe Johnson&Johnson”.

Nisur nga situata epidemiologjike pozitive Shqipëria që prej datës 9 maj, nuk  kategorizohet më si zonë rreziku për Covid-19.

Nuk janë më të nevojshme detyrimi i testimit (me përjashtim të atyre, që hynë në rrugë ajrore), regjistrimi digjital i udhëtimit dhe detyrimi i karantinës.

Për udhëtarët, që hynë në Gjermani në rrugë ajrore, vazhdon të jetë në fuqi detyrimi i një testi përpara nisjes (test PCR- jo më herët se 72 orë përpara fluturimit, ose test antigjenesh, jo më herët se 48 orë përpara fluturimit).

Udhëtarët e vaksinuar plotësisht me një prej vaksinave Pfizer-Biontech, Moderna, Astra Zeneca dhe Janssen, apo të shëruarit  (jo më pak se 28 ditë pas shërimit dhe jo më shumë se 6 muaj pas tejkalimit të infeksionit), të cilët zotërojnë një dokument që provon vaksinimin apo shërimin, i formuluar në gjuhën gjermane, angleze, franceze, italiane apo spanjolle, në versionin hard copy apo atë digjital, nuk është e nevojshme të paraqesin një test negativ në momentin e hyrjes në rrugë ajrore nga Shqipëria në Gjermani.

Përgjithësisht vlen të thuhet, që rregullat e karantinimit në Gjermani vendosen nga landet federale. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.