Fluks në rritje turistësh të huaj/ 35 turistë polakë vizitojnë Parkun Kombëtar të Tomorit

TIRANË, 18 qershor/ATSH/ Parku Kombëtar i malit të Tomorit mbetet një nga destinacionet e preferuara turistike nga turistë vendas dhe të huaj në çdo stinë të vitit.

Rreth 35 turistë polakë vizituan sot Parkun Kombëtar të Tomorit, duke përshkuar shtegun “Çezma e Tarikos – Ujëvara e Sotirës”.

Lajmi u konfirmua sot përmes një njoftimi nga Administrata e Zonave të Mbrojtura Berat, e cila thekson se ka një fluks gjithnjë e në rritje të turistëve të huaj, pas lehtësimit të masave antikovid.

Parku Kombëtar Mali i Tomorit ka një sipërfaqe 24.723 ha dhe ndodhet në lindje të qytetit muze të Beratit. Në të ndodhet Mali i Tomorit me lartësi prej 2416 mbi nivelin e detit, që nga larg të jep përshtypjen e një kështjelle natyrore gjigante. Bukuritë natyrore të parkut janë evidente në çdo stinë.

Duke udhëtuar drejt tij, turisti mund të shfrytëzojë kanionet e lumit Osum, shpellat e rrjedhës së tij, mund të njihet me monumente kulture të vjetra si ura, kisha e teqe, por mund të ushtrojë dhe sportin e skive apo të ngjitjeve malore.

/m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.