BE: Shqipëria në listën e vendeve që mund të lëvizin lirshëm në zonën Shengen

TIRANË, 18 qershor /ATSH/ Këshilli Europian përditësoi sot listën e vendeve për të cilat duhet të hiqen kufizimet e udhëtimit.

Pas një rishikimi sipas rekomandimit për heqjen graduale të kufizimeve të përkohshme për udhëtimet jothelbësore në BE, Këshilli Europian përditësoi listën e vendeve për të cilat duhet të hiqen kufizimet e udhëtimit.

Siç përcaktohet në rekomandimin e Këshillit, kjo listë do të vazhdojë të rishikohet çdo dy javë dhe, sipas rastit, të përditësohet.

Bazuar në kriteret dhe kushtet e përcaktuara në rekomandim, që nga 18 qershori 2021 vendet anëtare duhet të heqin gradualisht kufizimet e udhëtimit në kufijtë e jashtëm për banorët e vendeve të treta vijuese:

Shqipëria

Australia

Izraeli

Japonia

Libani

Zelanda e Re

Republika e Maqedonisë së Veriut

Ruanda

Serbia

Singapori

Koreja e Jugut

Tajlanda

Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Kina mbetet subjekt i konfirmimit të reciprocitetit.

Kriteret për të përcaktuar vendet e treta për të cilat duhet të hiqet kufizimi aktual i udhëtimit u përditësuan më 20 maj 2021. Ato mbulojnë situatën epidemiologjike dhe reagimin e përgjithshëm ndaj COVID-19, si dhe besueshmërinë e burimeve të informacionit dhe të dhënave në dispozicion. Reciprociteti gjithashtu duhet të merret parasysh rast pas rasti. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.