Rritja e shpërblimit mujor të anëtarëve të Këshillit Drejtues të RTSH-së/ Shqyrtohet kërkesa në Komisionin e Medieve

TIRANË, 17 qershor /ATSH/ Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, në drejtimin e kryetarit Ramazan Gjuzi shqyrtoi në mbledhjen e radhës kërkesën e Këshillit Drejtues të RTSH-së, për rritjen e masës së shpërblimit mujor të anëtarëve të këtij këshilli. Në fjalën e saj nënkryetarja e këtij komisioni, Mirela Kumbaro, e vlerësoi si të rëndësishme dhe impenjative punën e Këshillit Drejtues të RTSH dhe e konsideroi me vend kërkesën e tyre, për rritjen e masës së shpërblimit mujor të anëtarëve të këtij Këshilli.

Deputeti Musa Ulqini në fjalën e tij u ndal jo vetëm në kërkesën e Këshillit për rritjen e masës së shpërblimit mujor të anëtarëve të tij, por dhe në nevojën për hapjen e vakancës për drejtuesin e RTSH, pas përfundimit të mandatit të Thoma Gëllçit.

Më tej, dy anëtarët e komisionit Vilma Bello dhe Musa Ulqini propozuan dërgimin e dy kërkesave shtesë drejtuar njëra Ministrisë së Financave lidhur me rritjen e masës së shpërblimit mujor të anëtarëve të këtij Këshilli, si dhe një kërkesë ku Komiteti Drejtues i RTSH të argumentojë një raport më të detajuar me argumentimin ligjor lidhur me kërkesën e tyre për rritjen e masës së shpërblimit mujor.

Pas diskutimeve, anëtarët e komisionit, miratuan në unanimitet dy kërkesat drejtuar dy institucioneve të lartpërmendura.

Mbledhja e sotme e komisionit u zhvillua përmes platformës virtuale të komunikimit “Cisco Webex”. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.