Rritja e eficiencës në HEC-in e Fierzës/ 40 milionë euro për remontin e dy turbinave

TIRANË, 17 qershor/ATSH/ Për rehabilitimin e hidrocentralit të Fierzës, pjesë e kaskadës së Drinit do të investohen 40 milionë euro nga Banka Gjermane për Zhvillim (KfW).

Marrëveshja që i hap rrugën nisjes së investimit është publikuar në Fletoren Zyrtare.
Investimi parashikon remontin e dy turbinave, çka do të rrisë eficiencën e HEC-it.

Turbinat në këtë HEC janë montuar rreth 38 vite më parë dhe ekspertët kanë vendosur që edhe nëse nuk kanë defekte duhet të futen në remont.

Ndërkohë programi do të vijojë me rehabilitimin e turbinave edhe në hidrocentralin e Vaut të Dejës.

Investimi për rehabilitimin e të gjithë HEC-eve mbi kaskadë llogaritet 150 milionë euro. Përveç turbinave po investohet edhe në portat e HEC-eve, kanale dhe mbrojtjen e tyre. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.