Gripi i shpendëve/ Ekonomi: Situata po ndiqet në mënyrë sistematike, 400 veterinerë pranë fermerëve

TIRANË, 17 qershor /ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi tha sot se situata e gripit të shpendëve po ndiqet në mënyrë sistematike.

“Jemi në lidhje të vazhdueshme  me Organizatën Europiane (OIE), që raporton mbi sëmundjen e kafshëve në të gjithë territorin europian, dhe mbi bazën e raportimeve të shfaqjes së rasteve, ndërmarrim masat përkatëse për bllokimin e importeve me këto vende”, detajoi ajo.

Gjatë një interviste televizive, Ekonomi tha se OIE raportoi dje për një situatë të gripit të shpendëve në Gjermani, Lituani dhe Poloni, dhe ministrja nxori urdhrat përkatës.

Ekonomi bërë të ditur se, “rastet e shfaqjes së infeksionit të gripit të shpendëve në vendin tonë kanë origjinë nga shpendët e egër shtegtarë. Niveli i riskut në vendin tonë është shumë i ulët. Janë 10 zona gjithsej, kryesisht në Shqipërinë e Mesme dhe një zonë në Tropojë. Deri tani kemi 1600 krerë shpendë të ngordhur nga 5 milionë krerë shpendë në vend”.

Lidhur me masat që po merren për parandalimin e përhapjes së infeksionit, Ekonomi theksoi se, “në stabilimentet e shpendëve ka një protokoll mbarështimi që ndiqet në bazë të rekomandimeve të BE. Kur ka shenja, fermerët duhet të informojnë veterinerët. Për secilën zonë është vënë në shërbim veterineri i urgjencës dhe çdo rast i dyshimtë ndiqet dhe ekzaminohet”.

Ministrja informoi se, janë 400 veterinerë të rinj të punësuar së fundi që janë shpërndarë në çdo bashki dhe njësi administrative për t’iu gjendur pranë fermerëve në çdo kohë. Ndërsa ndiqen me rigorozitet protokollet e vaksinimit falas, të shpendëve dhe kafshëve blegtorale kundër sëmundjeve të ndryshme.

“Në rastet kur ka shpendë të infektuar, izolohet ferma. Si shpendët e gjallë, si ata që kanë ngordhur asgjësohen të gjithë. Më pas shpendët futen në qese, groposen, dezinfektohen me gëlqere dhe mbulohen me një rrjetë”, deklaroi ajo.

Ekonomi tha se po mbahen procesverbale të sakta për ngordhjet e shpendëve dhe më pas të prekurit do të dëmshpërblehen pas përfundimit të pandemisë. Sa i përket mishit apo shpendëve të gjalla që eksportohet nga jashtë, Ekonomi bën të ditur se masat e kontrollit janë shtuar.

Ministrja sqaroi se rreziku më i madh vjen nga kontakti me një shpend të gjallë të infektuar sesa nga nënproduktet e tyre. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.