GREQI – Parlamenti miraton reformën e re të punës, pavarësisht protestave

ATHINË, 17 qershor /ATSH-DPA/ – Ligji grek i punës do të përditësohet me orët jashtë orarit dhe me leje atësie, pasi parlamenti i vendit miratoi ligjin, njoftoi transmetuesi parlamentar grek, VOULI-TV.

Megjithëse propozimi çoi në ndalesa pune dhe greva në javët përpara votimit, kryeministri Kyriakos Mitsotakis kishte votat në legjislaturë për të kaluar masën në bazë të votave të partisë së tij që ka 158 nga 300 vendet e parlamentit.

Protestat kundër ndryshimeve lanë shumë zyra qeveritare pa personel.

Po kështu, disa shërbime të trageteve nuk ishin në dispozicion për shkak të grevave të stafit si dhe disa shërbime të autobusëve, trenave dhe tramvajeve.

Në të njëjtën kohë, nuk u raportua asnjë ndërprerje e udhëtimit ajror dhe hotelet, bankat, supermarketet dhe shumica e dyqaneve funksiononin normalisht.

Sindikatat janë irrituar nga udhëzimet e reja të fleksibilitetit që u lejojnë punonjësve të punojnë deri në 50 orë në javë, për sa kohë që çdo gjë mbi 40 orë në javë trajtohet si punë jashtë orarit, që do të kompensohet vetëm me pushime dhe jo pagë./   /os/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.