“Asnjë pacient i ri prej disa ditësh”/ Çomo: Vaksinimi, armë e fuqishme për minimizimin e rasteve me COVID-19

TIRANË, 17 qershor/ATSH/ Drejtoresha e Spitalit Infektiv, Najada Çomo, theksoi sot se “po ulet numri i pacientëve të shtruar në spital, dhe nëse ulet numri i pacientëve të shtruar padiskutim është ulur edhe sëmundshmëria në popullatë”.

Në një prononcim për mediet Çomo tha se “ne jemi në një numër të pakësuar pacientësh të shtruar gjë që na bën optimistë të gjithëve. Sigurisht ne që jemi këtu brenda jemi shumë më tepër optimistë për arsye se kemi parë problematikën mjaft serioze që ka paraqitur tek pacientët infeksioni nga COVID-19”.

Çomo theksoi se “jemi drejt uljes së numrit të rasteve si asnjëherë tjetër në të gjithë këtë periudhë kohore që nga 9 marsi i 2020”.

“A do të shkojmë drejt numrit zeros? Këtë nuk mund ta them dot, pasi zero është një shifër e vështirë, por vazhdon të ulet dhe kemi disa ditë që nuk kemi pacientë të rinj të shtruar. Kjo duhet evidentuar pasi është tregues i trendit i pakësimit të numrit të personave të shtruar”, shtoi ajo.

Mjekja Çomo u shpreh se “të mos harrojmë që duhet vazhduar procesi i vaksinimit, sepse është një armë e fuqishme për të ndaluar apo minimizuar numrin e të infektuarve është bërja e vaksinës”.

Çomo tha se, “aktualisht, nuk kemi asnjë person të intubuar, por kjo është një sëmundje që nuk të lejon të bësh shumë parashikime. Sot kemi dalje nga spitali dhe jo prurje”.

Sa i përket vjeshtës dhe dimrit të ardhshëm, Çomo theksoi se “do të isha e lumtur që të mos kishte më raste në Shqipëri, por gjykohet se mund të ketë raste edhe në vjeshtë, por vaksinimi është një proces i rëndësishëm dhe mund të minimizojë edhe atë që mund të vijë në vjeshtë”.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.