Vaksinimi masiv në Kosovë/ 279 ekipe të angazhuara në të gjithë vendin

TIRANË, 16 qershor/ATSH/ Në qendrat e vaksinimit kundër COVID-19 në të gjithë territorin e Kosovës ka nisur dje vaksinimi masiv. Për të kryer këtë proces janë angazhuar 279 ekipe vaksinimi të shtrira në tërë vendin, nga 89 sa kanë qenë. Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia njoftoi dje se deri në fund të këtij muaji do të arrijë kontingjenti i parë me dozat e vaksinave të kontraktuara me kompaninë Pfizer.

Ministri i Shëndetësisë deklaroi se me dozat që kanë në dispozicion dhe ato që pritet të vijnë synohet të vaksinohen deri në 500 mijë qytetarë brenda muajit.

Ministri Vitia edhe njëherë e ka theksuar se prioritet mbetet vaksinimi i 60 për qind të qytetarëve deri në fund të viti.

Derisa ka folur për kategoritë që do vaksinohen, ministri i Shëndetësisë tha se përveç personave mbi 65 vjeç dhe atyre me sëmundje kronike, me këtë proces të zgjeruar do të nis vaksinimi edhe i mësimdhënësve dhe pjesëtarëve të sigurisë.

Ai kërkoi nga qytetarët që të aplikojnë në platformën online për t’u regjistruar për vaksinim.

Procesi i vaksinimit në Kosovë ka nisur në fund të muajit mars, prej atëherë e deri më tani janë vaksinuar mbi 100 mijë qytetarë. Deri tani qytetarët janë imunizuar me doza të dhuruara nga aleanca COVAX dhe Bashkimi Evropian. Ndërsa, Qeveria e Kosovës në fund të muajit maj ka nënshkruar marrëveshje me kompaninë Pfizer për blerjen e 1.2 milionë vaksinave anti-COVID. /KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.