“Strategjia e futbollit për femra”, Kushi: Programe të reja për rritjen e pjesëmarrjes së vajzave në sport

TIRANË, 16 qershor /ATSH/ Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi mori pjesë në aktivitetin e prezantimit të Strategjisë së Futbollit për Femra në Shqipëri.

Në fjalën e saj, ministrja Kushi theksoi se “kënaqësi të merrja pjesë në prezantimin e Strategjisë së Futbollit për vajza në Shqipëri, organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit, ku gjeta rastin të nënvizoj rëndësinë që qeveria shqiptare i ka dhënë zhvillimit të sportit në shoqërinë tonë”.

Ministrja Kushi bëri thirrje për gjithëpërfshirje sa më të gjerë në sport dhe që sportistet të mbështeten edhe nga familjet e tyre për të ndjekur ëndrrat dhe dëshirat e tyre.

“Strategjia jonë për sportin po synon tashmë burime dhe programe të reja investimi, të cilat rrisin nivelin dhe cilësinë e pjesëmarrjes së vajzave dhe grave në sport, për të sensibilizuar opinionin se ato kanë nevojë të përkrahen dhe të inkurajohen akoma më shumë”, – tha Kushi.

Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të institucioneve të ndryshme të sportit, personalitete nga futbolli, trajnerë e lojtarë.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.