Sezoni turistik/ Mblidhet Komiteti Rajonal i Zhvillimit të Turizmit për qarkun e Kukësit

TIRANË, 16 qershor/ATSH/ Në nisje të sezonit turistik veror, në qarkun e Kukësit u mblodh sot Komiteti Rajonal i Zhvillimit të Turizmit, i drejtuar nga prefekti Zenel Kuçana.

Gjatë këtij takimi, prefekti i Qarkut, Kuçana kërkoi angazhimin e të gjithë strukturave, si ato bashkiake dhe degëve territoriale, për menaxhimin e territorit në drejtim të sigurisë, por edhe për të mundësuar shërbime maksimale për qytetarët dhe pushuesit.

“Rendi e siguria ndaj qytetarëve, menaxhimi i mjeteve lëvizëse në pikat e kalimit kufitar Morinë, Qafë-Prush, Qafë-Morinë, kujdesi shëndetësor dhe funksionimi i Qendrave Shëndetësore, marrja e masave në mënyrë të veçantë në zonat turistike për furnizimin me energji elektrike, kontroll dhe menaxhim i vazhdueshëm i rrugëve në zbatim të kodit të qarkullimit rrugor si dhe mbajtja e mjedisit e pastër ishin disa nga detyrat”, tha Kuçana.

Po ashtu, Kuçana tha se rëndësi do ti kushtohet edhe kontrollit të territorit për ndërtimet pa leje, sidomos në zonat e mbrojtura dhe qytete.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.