Rizgjedhja e Bashës kryetar/ “Grupi për PD-në”: Zgjedhjet, në kufijtë e pavlefshmërisë

TIRANË, 16 qershor /ATSH – I. Vata/ “Grupi për PD-në” ka dalë sot në një konferencë për mediet pas shpalljes së rezultatit zyrtar një ditë më parë për rizgjedhjen në krye të PD-së të Lulzim Bashës dhe i ka konsideruar zgjedhjet në kufijtë e pavlefshmërisë.

Ish-kandidatja për kreun e PD-së, Edit Harxhi e ka konsideruar procesin e zgjedhjeve në PD të pavlefshme.

“Këto zgjedhje nuk ishin zgjedhje, nuk ishin as zgjidhje, ishin larg standardit vendor dhe jo më ndërkombëtar për t’u quajtur zgjedhje. Ajo çfarë ne do të bëjmë si grup do të vazhdojmë të punojmë brenda PD me të gjitha strukturat që lëvizja jonë të vijojë për të kthyer vlerat e PD-së dhe për të hapur për të bërë një projekt të ri, ringritje, rithemelimin e partisë nga “A”, nga fillimi. Kjo do të vazhdojë, ne jemi grup dhe kemi të njëjtin qëndrim. Këto nuk ishin zgjedhje. Nëse Basha dëshiron që të vazhdojë të quhet kryetar partie është i lirë ta bëjë këtë gjë”, tha ajo.

Në vijim, Harxhi shtoi se “veç listës së shkurtuar ka pasur një mungesë të madhe të emrave në listë”.

“Në kundërshtim me çdo normë janë bërë anëtarë të rinj dhe janë shpërndarë karta anëtarësie. Një pjesë kanë votuar vetëm me një kontrabiletë me shkrim dore. Kanë votuar persona pa kartë anëtarësie, në kundërshtim me nenin ku thuhet se secili ka të drejtë të përcaktojë një auditues. Nuk janë lejuar të verifikojnë nëse ka modifikime në sistem. Kjo është një mungesë shumë e madhe se nuk kemi pasur akses. Kutitë nuk kanë pasur kodet përkatëse”, tha Harxhi.

Harxhi shtoi se “kreu i PD-së është votuar vetëm nga 32 mijë anëtarë nga 75 mijë anëtarë të regjistruar nga PD. 25 mijë më pak se në vitin 2017 dhe 3 mijë më pak se në vitin 2013, vit kur PD ka qenë ende në pushtet dhe ka pasur 40 mijë pjesëmarrës në zgjedhjet për kryetar partie. Procesi ishte në shkelje të parashikimeve statutore, i pabarabartë, i padrejtë dhe me shkelje të rënda. Kryetari i zgjedhur nuk përfaqëson as shumicën e thjeshtë të anëtarësisë së partisë, por një minorancë, duke mos i dhënë legjitimitetin statutor dhe  forcë morale për të drejtuar një proces reformash të thella të cilat sot janë në emergjencë dhe jetike për PD-në”.

“Grupi për PD do të vazhdojë angazhimin brenda PD-së për demokratizimin e partisë, ringritjen, reformimin e plotë dhe hapjen e partisë, bashkimin e të gjitha kontributeve dhe vlerave të të gjitha kohërave në PD, futjen e PD-së në shina të djathta ideologjike, për të  bërë  të mundur ringritjen e opozitës së djathtë shqiptare, si e vetmja mundësi për t’i dhënë Shqipërisë një model të ndryshëm nga qeverisja e Rilindjes, zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe jo si ato të 25 prillit 2021 dhe një qeverisje me duar të pastra larg korrupsionit, krimit të organizuar dhe oligarkëve politikë”, theksuan anëtarët.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.