Rama ndan pamjet: Festa e rilindur e Karnavaleve në Korçën turistike

TIRANË, 16 qershor/ATSH/ Në Korçë u zhvillua për të 14-tin vit Festivali Ndërkombëtar i Karnavaleve, që çeli dhe sezonin turistik në këtë qytet mes atmosferës së veçantë të kësaj feste që dhuruan karnavalet.

E njohur për Karnavalet e famshme Korça, e ka shndërruar këtë traditë në një nga festat më të bukura të qytetit.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje të kësaj feste të rilindur të Karnavaleve në Korçën turistike.

“Mirëmëngjes dhe me festën e rilindur të Karnavaleve në Korçën turistike, ju uroj një ditë të mbarë”, tha Rama.
Ndryshe nga viti i kaluar, që për shkak të pandemisë ky event u organizua në përmasa  minimaliste, këtë vit ai i’u rikthye traditës së festës simbol të qytetit të Korçës, ku morën pjesë 26 grupe. Ndërsa ishin të ftuar pjesëmarrës edhe nga jashtë vendit, dy grupe nga Shkupi i Maqedonisë së Veriut, grupi nga qyteti i Durrësit.
Grupe korçare, por dhe të ardhur nga qytete të tjera e nga jashtë vendit pushtuan bulevardin e Korçës, duke parakaluar me madhështi në një paradë ku çdo pjesëmarrje shoqërohej me nga një fabul.

Karnavalet kanë filluar të festohen në Korçë para viteve 1940, periudhë në të cilën jeta kulturore në këtë qytet ka qenë e larmishme. Karnavalet e Korçës morën një hov të madh pas krijimit të shoqërive kulturore si “Rinia Korçare” etj. Në këtë periudhë karnavalet shoqëroheshin me mandolina, kitara dhe këngë humoristike. Kjo festë u ndërpre rreth viteve ’60 për të rinisur pas viteve ’90.

Korça është një ndër qytetet e para që rizgjoi traditën e karnavaleve duke krijuar në vitin 1992 Shoqatën e Karnavalit si pjesë e Shoqatës Kombëtare të Karnavalit Shqiptar. Në 10 prill 1994, në Korçë u organizua Festivali i Parë Ndërkombëtar i Karnavalit në Shqipëri.

Një vit më pas organizohet Festivali i dytë Ndërkombëtar i Karnavalit me përmasa akoma më të mëdha. Që nga ky vit dhe deri më sot grupi i karnavaleve të Korçës është përfaqësuar në një sërë festivalesh ndërkombëtare të organizuara në vende të ndryshme europiane./m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.