Progres në fushat prioritare/ Parlamenti i Holandës bie dakord: Të mbahet Konferenca e parë Ndërqeveritare me Shqipërinë

TIRANË, 16 qershor/ATSH/ Shumica e parlamentit të Holandës ra sot dakord që të mbahet Konferenca e parë Ndërqeveritare me Shqipërinë, pas miratimit të kuadrit negociator.

Kështu informoi Ambasada holandeze në Tiranë, e cila njoftoi se “sot në Holandë ka pasur një seancë debati në lidhje me çështjet e integrimit/zgjerimit ku është diskutuar dhe Shqipëria dhe qëndrimi që do të mbajë Holanda në mbledhjen e Këshillit në 22 qershor”.

Përmes një njoftimi për shtyp, Ambasada e Holandës në Tiranë thekson se “politika e qeverisë holandeze në lidhje me procesin e zgjerimit është strikte, e drejtë dhe mbështetëse/e angazhuar”.

“Vendimet për hapat e mëtejshme që duhen ndërmarrë në lidhje me pranimin në BE janë të bazuara në meritat individuale të vendeve. Në mars 2020, Këshilli Europian vendosi të hapë negociatat me Shqipërinë dhe të mbajë Konferencën e parë Ndërqeveritare të 27 vendeve anëtare të BE-së me Shqipërinë, pasi që një sërë kushtesh të ishin plotësuar kryesisht në fushën e sundimit të ligjit/shtetit të së drejtës”, thuhet në njoftim.

“Qeveria holandeze bie dakord me gjetjet e Komisionit Europian sikurse theksohet në përditësimin e raportit për Shqipërinë. Shqipëria ka bërë progres në fushat prioritare si reforma në drejtësi dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Gjithashtu ‘track record’-i ka shënuar progres, megjithëse një numër më i lartë dënimesh për zyrtarët e lartë mbetet një çështje e rëndësishme për t’u mbajtur në vëmendje”, vijon njoftimi.

Qeveria holandeze, thuhet më tej në njoftim, mundet kësisoj të bjerë dakord për mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare me Shqipërinë, një herë që kuadri negociator të jetë miratuar”.

“Sot, shumica e parlamentit ra dakord që të mbahet Konferenca e parë Ndërqeveritare me Shqipërinë, pas miratimit të kuadrit negociator. Procedura do të finalizohet nesër me votimin e mocioneve të mundshme të ngritura nga partitë apo grupet parlamentare. Qeveria holandeze është e kënaqur që është krijuar një kuadër negociues i qartë dhe i qëndrueshëm për negociatat e pranimit midis BE-së dhe Shqipërisë. Qeveria pret me kënaqësi mbajtjen e të parës Konferencë Ndërqeveritare, si një nisje zyrtare e negociatave, një trajektore intensive në të cilën reformat në fushën e sundimit të ligjit, shtetit të së drejtës, luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe fuqizimit të mëtejshëm të institucioneve demokratike do të mbeten prioritete kyçe”, thuhet në njoftim.

/m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.