“Politika si ide”/ Promovohet libri i Valentina Leskajt: Reflektim mbi çështjet që përballet shoqëria shqiptare


TIRANË, 16 qershor /ATSH/ Valentina Leskaj, një personazh i njohur i politikës shqiptare, promovoi sot në Tiranë librin e saj “Politika si ide” nga botimet Toena.

Në ceremoninë e promovimit të këtij libri morën pjesë kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ish-presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, ministra të kabinetit qeveritar, deputetë, shkrimtarë, gazetarë etj.

Leskaj në fjalën e saj u shpreh se, “ky libër nuk është një libër kujtimesh, nuk është një libër që ka të bëjë me jetën time. Është një libër reflektues se si unë i shoh disa nga çështjet që përballet shoqëria shqiptare, që padyshim që ka qenë pjesë e angazhimit tim qytetar, e angazhimit profesional dhe atij politik”.

“Jam ulur të shkruaj këtë libër 3 vjet pasi jam larguar nga politika, dhe jo pa qëllim, sepse unë besoj se një distancë në kohë të jep mundësi, pse jo për një gjykim më distant dhe më të ftohtë. Çdo analizë është ajo çfarë kam mësuar çdo ditë nga jeta ime politike. Padyshim një politikan nuk pushon së qeni i angazhuar edhe kur vendos të largohet apo të tërhiqet nga politika aktive, pasi unë mendoj që beteja e ideve bëhet motoja e tij dhe natyrisht ajo është brenda teje”, tha Leskaj.

“Për vetë kontekstin historik, shoqëria jonë ende nuk ka një debat mirëfilli për disa çështje të rëndësishme, ku mendimi botëror prej gati një shekulli ka qenë i angazhuar. Edhe pse për shumëkënd nga ne duket si një pretendim i largët, për një vend të vogël dhe për një politikë me probleme, unë mendoj se ka ardhur koha që ne t’i japim më shumë hapësirë debatit për çështje që i kalojnë kufijtë e politikës së ditë që shpesh dominon debatin publik”, theksoi Leskaj.

Ajo tha se në libër preken disa nga çështjet që lidhen me këtë temë si kultura politike, apo niveli i demokracisë.

“Kulturën politike unë e shoh si lakmues të demokracisë funksionale. Por ne edhe pas 30 vjetësh në fakt diskutojmë për gjëra bazike të një demokracie funksionale. Diskursi publik shpesh vërtitet tek gjëra që janë bazike për një demokraci funksionale, siç janë zgjedhjet apo mungesa e dialogut politik. Për pasojë, shumë gjëra që e bëjnë një politikë serioze dhe me demokraci funksionale mbeten në periferi”, tha Leskaj.

Ndërsa drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli e cilësoi këtë libër si, “një hapësirë e madhe dhe tepër e gjerë idesh”.

“Leskaj artikulon mbi gjuhën e urrejtjes, mbi kulturën politike, dy binome të lidhura fort me njëra-tjetrën, të cilat vijnë në një analizë ndoshta për herë të parë në diskursin publik shqiptar”, tha Bardhyli.

“Leskaj është pararojë në këtë libër edhe për çështje të tjera, siç është ajo e popullsisë, artikuluar herët që në vitin 1992, kohë kur drejtonte Qendrën për Popullsinë dhe Zhvillimin apo më vonë kur drejtonte Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale, duke kërkuar vëmendjen e duhur ndaj një problemi serioz dhe tepër kompleks, referuar statistikave. Artikulimet e saj mbi këtë çështje e çojnë mendimin shqip në sferën e diskutimeve bashkëkohore për popullsinë, të cilat pas pandemisë COVID-19 janë bërë shqetësim i të gjithëve”, theksoi Bardhyli.

Rektori i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, Ardian Civici në fjalën e tij tha se, “libri është vërtetë shumë i bukur, i shkruar thjeshtë. Por njëkohësisht, përtej kuriozitetit që ka çdo njeri, çdo individ për politikën, për vendimmarrjen, aty gjen edhe debatet kryesore ideore, bashkëkohore dhe përgjigjet e duhura, të paktën qëndrimin e autores”.

Ndërsa shkrimtarja Diana Çuli në fjalën e saj theksoi se, “Valentina Leskaj për mua nuk mund të kuptohet, por edhe për të gjithë ata që e njohin, pa përpunimin dhe analizën e paprerë të ideve, pa gjetjen e atyre të rejave”.

Ajo shtoi se, “titulli i librit i përshtatet përmbajtjes, si rrallëherë një titull”.

“Ky libër është ndalesë e natyrshme e Valentina Leskajt për të hedhur në letër një pjesë të rëndësishme të përvojës së saj të pasur dhe unike për të na shtyrë të reflektojmë për këto dy dekada”, nënvizoi Çuli.

Ndërsa, drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Piro Misha, u shpreh në fjalën e tij se, “ky është një libër që vërtetë ia vlen të lexohet”.

“Vlera më e madhe e këtij libri është një kontribut dhe mjaft i vyer dhe i veçantë që do të nxisë një debat”, tha Misha, duke shtuar se, “libri ka një gamë të madhe problemesh që preken”.

“Gjëja tjetër e rëndësishme, është se përveç një rrafshi të lakmueshëm teorik dhe intelektual, libri është gjithmonë në një rrafsh krahasues”, tha ai.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.